Ish-kryeinspektori i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës (AKI), Burim Ramadani, nëpërmjet një postimi në platformën sociale, Facebook, ka vlerësuar se presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë një prononcimi për media, të enjten, ka konfirmuar acarimin në mes të Qeverisë së Kosovës dhe Misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR-it.
Osmani, të enjten, parashtroi një pyetje retorike kur tha se “a është në interes të Kosovës që ne të shohim konflikt mes ushtarit amerikan dhe policisë?” duke potencuar më pastaj se “nuk besoj që ka shqiptar që pajtohet në këtë tokë me një gjë të tillë”.
Sipas Ramadanit, Osmani, do të duhej që këto deklarata t’i bënte gjatë një takimi me krerët më të lartë institucional, e jo para mediave si “opinion-bërëse e çështjeve të sigurisë”.
“Po të vepronte si Presidente, ajo do të duhej që këtë mos ta thoshte në Viti, para se t’ia thoshte hapur dhe institucionalisht akterëve veç e veç dhe të gjithëve së bashku. Do të duhej të shkonte në Drejtorinë Qendrore të Policisë së Kosovës, të shkonte në kampin Belvedere, të shkonte në FSK, të thërriste Kryeministrin e Ministrin e Brendshëm në takime publike”, ka shkruar ai në platformën sociale, Facebook.
Ramadani ndër të tjera ka potencuar se Osmani pas këtyre deklaratave do të duhej ta thërriste me urgjencë Këshillin e Sigurisë së Kosovë.
“Sipas ligjit për KSK, Neni 5.4 – të kërkonte të thirrej Këshilli i Sigurisë së Kosovës dhe këto t’ia thoshte të gjithë anëtarëve të Këshillit njëkohësisht dhe në fytyrë, përfshirë Kryeministrin aty!”.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com