Shqipëria

Rama zbulon rrezikun që i kërcënohet gjuhës shqipe


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama e konsideroi të rrezikuar gjuhën e njësuar shqipe aktualisht.

Kjo, pasi fjalori i shqipes zyrtare është vetëm gjysma e gjuhës së vërtetë.

Lajmi u bë i ditur gjatë konferencës për 50-vjetorin e Kongresit të Drejtshkrimit të gjuhës shqipe.

“Ajo që sot është akoma më e rëndësishme, është rreziku që i kërcënohet gjuhës shqipe dhe po e shpreh me fjalët e të ndierit Robert Elsie kur thotë: ‘Unë vuaj shumë për fjalor se kur lexoj letërsi shqiptare dhe kur has një fjalë që nuk e kuptoj nuk e gjej në fjalorin e akademisë dhe kjo më mërzit shumë'”, deklaroi Rama.

Sipas tij, fjalori i shqipes së folur përditë, është një e njëmijta e gjuhës së vërtetë.

“Konsensusi gati unanim që u gjet rreth drejtshkrimit 50 vjet më parë, është mahnitës, po të kesh parasysh se në çfarë konfliktesh të përgjakshme dhe në çfarë procesesh rraskapitëse kanë ecur gjuhë të tjera për të arritur njësimin e tyre dhe për t’u bërë palca e gjithë skeletit të paqes sociale”, u shpreh fillimisht kreu i qeverisë.

Për Ramën, historia na mëson se drejtshkrimi dhe gjuha e shkruar nuk janë gjë tjetër, veçse një proces konsolidimi i frymës dhe i germës së një kombi, i qenies së një kombi.

“Nismëtarët e Kongresit të Manastirit iu futën punës me bindjen se alfabeti unik dëshmon që kombi ynë është bërë një si komb. Drejtshkrimi dhe gjuha e njësuar bëri të njëjtën gjë në vazhdimësi”, tha Rama gjatë fjalës së tij.

Kryeministri shtoi se ky ishte një nga të paktat procese që në historinë tonë na njëson për nga struktura dhe metoda me vendet e tjera evropiane.

“Kur hap faqet  e fundit këtu dhe kur lexon emrat në faqet e fundit dhe kur kërkon të ngjashmit e shumëkujt prej këtyre që sot nuk janë më në jetën tonë të përditshme, është e pamundur të mos ndjesh një ankth të thellë sepse me gjithë respektin, por të ngjashmit e Eqerem Çabejit, Mahir Domit, të Androkli Kostallarit, të Aleks Budës, vështirë, shumë vështirë”, ravijëzoi Rama.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore