Shqipëria

Rama zbardh bisedën e tij me Joe Biden


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka zbuluar një pjesë të bisedës së tij me Presidentin e SHBA-ve, Joe Biden, gjatë samitit treditor të NATO-s në Madrid, ku janë mbledhur të 30 vendet e organizatës ushtarake të Atlantikut të Veriut.

Thelbi i bisedës, sipas kryeministrit, ka qenë fillimisht një vlerësim për rolin e Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit, pjesë e të cilit është bërë këtë vit për herë të parë në historinë e shtetit.

Në atë çfarë tha kreu i Qeverisë, ka pasur shumë komente pozitive mbi angazhimin e Tiranës zyrtare në Këshill.

Më pas, një objekt tjetër i bisedës kanë qenë edhe raportet mes dy vendeve, ku këtë vit shënohet edhe 100-vjetori i marrëdhënieve diplomatike Shqipëri-SHBA.

Në vizionin e brenda këtij viti, Rama theksoi se ka biseduar me presidentin Biden për të zhvilluar një aktivitet të përbashkët, si kremtim i raporteve.

Megjithatë kjo, sipas tij, nuk dihet nëse do të arrihet apo jo, për shkak të situatës aktuale në diplomacinë botërore.

Gjithë detajet u kanë kaluar gjithsesi kabineteve përkatës, teksa pritet një zyrtarizim ose jo i celebrimit.

Në përmbyllje të fjalës së tij, kryeministri ka theksuar edhe faktin se sot, Shqipëria është në një pozitë të politikës së jashtme, siç nuk e ka pasur kurrë më parë, duke nënkuptuar se vendi po operon në një sferë të lartë diplomatike.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore