Zgjedhjet në Shqipëri

Rama: Vjosa Park Kombëtar- ne të parët që e kemi promovuar


“Vjosa park kombëtar, kemi qenë ne, që e kemi promovuar të parët”, ka deklaruar kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, të mërkurën e 7 prillit, në emisionin Wake up në Top Channel.

Sipas tij, zonë e mbrojtur është “një kategorizim” që e mbron qartësisht nga ndërhyrjet në shtratin e saj dhe nuk lejon ndërtimin e digave për hidrocentrale. Ndërsa koncepti park kombëtar  “duhet trajtuar në zonë të kujdesshme”, pasi nuk mund të shtrihet në të gjithë Vjosën.

“Duhet ndarë zona e mbrojtur nga ajo park kombëtar, si dhe nga zhvillimi i aktiviteteve që nuk kërcënojnë Vjosën vetë”, ka thënë Rama.

“Vaksinimi, detyrim i kryer me sukses”

Ndër të tjera, Rama ka folur dhe për procesin e vaksinimit, duke e cilësuar si “rilindje” për qytetarët.

“Mjafton të shikosh mijëra gjyshër që janë çliruar nga ankthi. Patjetër që janë detyrim, po edhe miqtë tanë detyrim e kanë, por s’kanë filluar akoma vaksinimin”, ka deklaruar ai.

Sipas tij, vaksinimi është një detyrim i kryer me sukses, që “vetëm ata që e kanë syrin top, veshët top dhe mendjen tapë” nuk duan ta pranojnë.

Sa i përket fushatës elektorale, që po zhvillon partia opozitare pak ditë para zgjedhjeve parlamentare, Rama nuk ka hezituar, duke i kritikuar grumbullimet e tyre.

“Larg qoftë ne po shkojmë drejt skenarit që po flet Kosova, e cila po shkon drejt mbylljes”, ka theksuar Rama, duke vënë në qendër dhe rritjen e numrit të infektimeve në Kosovë, “si shkak i fushatës” së zhvilluar.

“Nuk jemi në kushtet e përfundimit të një mandati normal, por jemi në luftë”, e ka cilësuar kështu Rama fundin e mandatit të tij të dytë.

Punëtorët e Bangladeshit

Ndërsa akuzave se “do të sjellë punëtorë nga Bangladeshi”, kryeministri i ka përgënjeshtruar.

“Së pari, nuk kam përmendur asnjëherë punëtorë nga Bangladeshi. I ka përmendur zotëria që ishte aty. Që është sipërmarrës dhe është në kërkim të punëtorëve për një pagë prej 400 mijë lekëshe, ka mungesë punëtorësh”, ka shpjeguar ai.

Duke vënë në qendër dhe kërkesat për punësim të qytetarëve, Rama ka theksuar se qytetarët shqiptarë, në vendin e tyre, janë të prirë të kërkojnë vetëm punë në shtet.

“Nuk e kam thënë që shqiptarët janë dembelë. Ajo që kam thënë, është që shqiptarët janë punëtorët më të mëdhenj edhe kur lajnë pjata jashtë. Por, në Shqipëri janë të prirë të kërkojnë vetëm punë në shtet”, përmbylli ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore