Shqipëria

Rama viziton familjen e Thaçit në Burojë


Edi Rama

Të hënën e 20 qershorit do të mbahet mbledhja e dy qeverive shqiptare në Prishtinë, por kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, dhe një pjesë e ministrave do të vijnë në Kosovë një ditë më herët.

Vetë Rama ka në agjendë një varg vizitash, përfshirë edhe një në fshatin Burojë të Skenderajt.

Kryeministri shqiptar do të vizitojë familjen e ish-presidentit, ish-kryeministrit dhe ish-udhëheqësit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi.

Rama këtë vizitë e realizon tek familja e Thaçit, vetëm disa ditë pasi kishte vizituar vetë atë në Hagë, ku po mbahet në paraburgim nën akuzat e caktuara nga Prokurori Special i Gjykatës Speciale.

Hashim Thaci bashke me nenen dhe babane e tij ne Buroje

Ndërsa mbledhja e dy qeverie që mbahet të hënën, është vetëm mbledhja e radhës e organizimit që tashmë është kthyer në traditë.

Dy qeveritë, mblidhen çdo vit, në qytetet të ndryshme shqiptare, në Kosovë e në Shqipëri, dhe takohen kryeministrat e ministrat kokë më kokë, për të diskutuar rreth problemeve praktike që pengojnë jetën e përditshme të shtetasve të dy vendeve.

Prejse ka filluar organizimi janë nënshkruar dhjetëra marrëveshje në letër, por ka pasur kritika të vazhdueshme për realizimin e këtyre marrëveshjeve në terren.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore