Shqipëria

Rama, vizitë në Vjenë për bashkëpunim universitar


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka zhvilluar një vizitë një ditore në Vjenë, në kuadër të bashkërendimit të punës midis dy universiteteve: Atij Bujqësor në Tiranë dhe Universitetit austriak BOKU – ndër më të rëndësishmit sa i përket agrikulturës në Evropë.

Kryeministri ka zhvilluar takime me rektorin e Universitetit austriak. I pranishëm ka qenë edhe rektori i Universitetit Bujqësor të Tiranës, Dr. Bahri Musabelliu dhe ministrja e Bujqësisë, Milva Ekonomi.

Kjo, për Ramën, është një përpjekje për të krijuar bashkëpunime midis dy Universiteteve. Por, nuk mbetet thjesht në këtë spektër, pasi forcon edhe marrëdhënien mes shteteve.

“Erdha vetë për t’u siguruar që me praninë time të kuptoni se sa të paduruar jemi që ta bëjmë kuptimplotë këtë bashkëpunim”, theksoi Rama gjatë takimit.

Në fjalë të tjera, kryeministri e ka cilësuar si “një ëndërr, të pasurit e cilësisë universitare si ajo e Vjenës”.

Për shkak të kësaj ëndrre, kryeministri shpreson që procesi i bashkëpunimit midis dy institucioneve, për fillojë sa më parë.

Përpos kësaj, Rama ka shpërfaqur edhe vëmendjen që Qeveria austriake ka ndaj Ballkanit. Ndaj, për këtë projekt, ai e cilësoi reagimin e Vjenës zyrtare si “entuziast”.

“Qeveria austriake  pavarësisht nga ngjyra e koalicionit që udhëheq vendin nuk është lëkundur në vullnetin e saj për të mbështetur Shqipërinë”, e përmbylli fjalën e tij në takim kryeministri.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore