Shqipëria

Rama: Vetëm Erdogan mblodhi sesion të jashtëzakonshëm – për të ndjekur punimet e Parlamentit të Kosovës


Në fjalën e mbajtur para gazetarëve, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama u ndal edhe te marrëdhënia e presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan me Kosovën.

“Unë nuk di një qeveri tjetër, përveç asaj të presidentit Erdogan, asokohe kryeministër i Turqisë, që të jetë mbledhur në sesion të jashtëzakonshëm, për të ndjekur punimet e Parlamentit të Kosovës”, theksoi numri një i qeverisë shqiptare.

Ai nënvizoi edhe njohjen e Kosovës nga ana e tij, fill pas shpalljes si shtet i pavarur – në atë moment që votoi Parlamenti.

Në nëntor të vitit 2010 kryeministri – asokohe – i Kosovës, Hashim Thaçi e konsideronte Erdogan si një ndër mbështetësit më të mëdhenj të pavarësisë së vendit.

“Kryeministri turk ka ofruar mbështetje në të gjitha drejtimet që po zhvilloheshin proceset e Kosovës”, nënvizonte Thaçi.

Ndërsa Erdogan do të shprehej se Turqia gjithmonë “ka qenë dhe do të jetë mike e Kosovës”.

“Ky vend”, sipas tij, “meriton më shumë dhe se çdo vend botëror duhet të mësojë nga Kosova se çfarë do të thotë në të vërtetë bashkëjetesa e komuniteteve të ndryshme”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore