Shqipëria

Rama: Vaksinat më pak nga se prisnim


Edi Rama, Kryeministër i Shqipërisë

Numri i dozave të vaksinave që do të mbërrijnë në Shqipëri nga kompania Pfizer, do të jetë më i vogël nga sa ishte parashikuar. Gjithsesi, nuk ka një shifër të saktë se sa do të mbërrijnë konkretisht.

Lajmin e ka bërë të ditur kryeministri Edi Rama, në një dalje për mediat. Në fillim të janarit, ai pati deklaruar se plani fillestar, ishte për ardhjen e 10 mijë e 750 dozave. Kjo, në javën e tretë të muajit të parë të vitit.

Gjithsesi, për shkak të vonesave, pati një shtyrje një javore të partisë së parë të vaksinave. Numri do të jetë gjithashtu më i ulët. Nuk dihet nëse plani për të sjellë 30 mijë e 250 doza të tjera gjatë shkurtit, do të mbetet i njëjtë.

Kryeministri shtoi gjithashtu se do të ketë më shumë qartësi në ditët në vijim mbi procesin. Personeli shëndetësor dhe të moshuarit mbeten prioritet i vaksinimit.

Marrëveshja me Pfizer dhe replikat me ndërkombëtarët

Ky njoftim vjen pikërisht një muaj pas  marrëveshjes me kompaninë Pfizer/BioNTech, për sigurimin e 500 mijë dozave të vaksinave. Blerja sipas kryeministrit, ishte dakordësuar dhe autorizuar me një akt normativ.

Nëse nuk do të kishte vonesa, Shqipëria duhet t’i kishte marrë tashmë 10 mijë e 750 dozat e para. Sasia e dytë prej mbi 30 mijë dozave duhet të vinte gjatë shkurtit. Në vendet e BE-së ka pasur gjithashtu vonesa të shumta, duke shkuar edhe në kërcënime për nisjen e proceseve gjyqësore ndaj kompanive.

Rama e përmendi gjithashtu edhe pjesën e mos qenies brenda mekanizmave të BE-së. Këtë ai e quajti si një aspekt pozitiv, pasi porositë vijnë drejtpërdrejt nga kompania. Në fillim të janarit ka pasur edhe replika të shumta midis kryeministrit shqiptar dhe ndërkombëtarëve.

Akuzat kryesore të Ramës lidheshin me mungesën e vëmendjes ndaj Ballkanit Perëndimor. Ambasadorët vendeve të BE-së ndërkohë, kanë replikuar se, gjatë 2020-ës, Shqipëria është ndihmuar si kurrë me parë nga blloku i unionit për pasojat e tërmetit dhe të pandemisë.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore