Shqipëria

Rama thotë se zgjidhja e ngërçit për negociatat është në drejtim të mbarë


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, deklaroi se zgjidhja e ngërçit për hapjen zyrtare të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian është në drejtim të mbarë.

Kjo, pas përmbylljes së punimeve të Samitit të NATO-s në Madrid më datat 28 dhe 29 qershor.

“Për në atdhe pas një samiti veçanërisht të ngarkuar të NATO-s, ku morëm sidoqoftë kënaqësinë e dyfishtë të një pune të mbarë, qoftë në aspektin e kontributit të Shqipërisë për Aleancën, qoftë në drejtim të zgjidhjes së ngërçit për hapjen zyrtare të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian”, shkruan Rama në median sociale Facebook.

Më herët, kreu i Grupit Parlamentar të Socialistëve, Taulant Balla, konfirmoi nga foltorja e Kuvendit se Konferenca Ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe BE-së do të mbahet javën tjetër.

“Kërkova fjalën për të ndarë një lajm të rëndësishëm sa i përket rrugëtimit tonë drejt anëtarësimit në BE, që ka të bëjë me faktin se ka një dakordësi të plotë mes 27 vendeve anëtare për të mbajtur javën e ardhshme Konferencën e Parë Ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe BE-së”, nënvizoi fillimisht Balla.

Sipas tij, ky është një moment i rëndësishëm, pas komunikimeve disa orëshe të parlamenteve anëtare.

Ai theksoi se dakordësia politike tashmë është arritur dhe mbajtja e Konferencës Ndërqeveritare javën e ardhshme është fakt.

Këtë fakt e paralajmëroi më 26 qershor Albanian Post, duke cituar një burim diplomatik ndërkombëtar.

“Ka një mundësi por është zbehur, pasi maqedonasit duan t’i bëjnë një amendim të vogël propozimit francez”, sqaronte zyrtari ndërkombëtar në kushte anonimiteti për AP-në.

Sipas burimit, nëse Bullgaria e pranonte ajo do të miratohej në margjinat e Samitit të Nato-s në Madrid.

“Nëse Bullgaria nuk e pranon, RMV-ja do e refuzojë, pra do jetë Maqedonia e Veriut ajo që nuk do pajtohet me propozimin”, ravijëzonte në përmbyllje zyrtari ndërkombëtar i cili ishte pjesëmarrës në samit.

Procedurat

Çdo vend vlerësohet në bazë të meritave të veta, bazuar në pajtueshmërinë me kriteret e anëtarësimit.

Negociatat ndihmojnë vendet kandidate të përgatiten për të përmbushur detyrimet e anëtarësimit në BE dhe të vlerësojnë sesa të gatshme janë.

Ato gjithashtu i lejojnë BE-së të përgatitet për zgjerim në drejtim të kapacitetit absorbues.

Acquis ose përvetësimi është i ndarë në kapituj dhe ka po aq kapituj sa fusha në të cilat duhet të bëhet përparim.

Këto fusha janë identifikuar nga shqyrtimi i përvetësimit.

Çdo kapitull negociohet individualisht dhe kriteret e matshme të referencës janë përcaktuar për hapjen dhe mbylljen e secilit kapitull.

Negociatat zhvillohen në Konferencat Ndërqeveritare dypalëshe ndërmjet shteteve anëtare dhe vendit kandidat.

Pozicionet e përbashkëta negociuese përcaktohen për secilin nga kapitujt që kanë të bëjnë me çështjet e kompetencës së BE-së.

Rezultatet e negociatave (me rezultatin e dialogut politik dhe ekonomik) përfshihen në një projekt-traktat pranimi, pasi të mbyllen negociatat për të gjithë kapitujt.

Pajtueshmëria monitorohet nga Komisioni Evropian dhe, sipas rastit, sistemi i masave kalimtare lejon që negociatat të përfundojnë edhe nëse transpozimi i acquis ose përvetësimit nuk është përfunduar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore