Lajme

Rama të shtunën takim me Veliajn – viziton Shqipërinë


Kryetari i Prishtinës Përparim Rama dhe kryetari i Tiranës Erion Veliaj.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, të shtunën e tetë janarit do të jetë për vizitë zyrtare në Tiranë.

Kjo vizitë erdhi pas ftesës së kryetarit të Tiranës, Erion Veliajt, i cili edhe e bëri të ditur vizitën e Ramës në Shqipëri përmes një postimi në ‘Facebook’.

“Tirana e zbukuruar me flamujt e Shqipërisë dhe të Kosovës, teksa presim në Bashkia Tiranë Kryetarin e sapo zgjedhur të Prishtinës, Përparim Rama”, shkruan Veliaj në Facebook.

Veliaj paralajmëroi edhe një platformë për të rinjtë e Prishtinës.

“Mezi pres që #EYC2022 të jetë edhe një platformë për të rinjtë e Prishtinës e së bashku t’i modernizojmë kryeqytetet tona!”.

Flamujt e vendosur në Tiranë, me rastin e vizitës së kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama.

Më shtatë dhjetor, Përparim Rama zyrtarisht ka marrë detyrën e kryetarit të komunës së Prishtinës.

Teksa dha betimin si kryetar i cili do të qeverisë për katër vjetët e ardhme në kryeqytetin e Kosovës, në këtë ceremoni inaguruese, Rama tha se “prej sot zëri i qytetarëve, vullneti i mirë për të bërë ndryshime të mbara e afatgjata në Prishtinën tonë të zemrës nuk është më moto e fushatës por zotim i imi dhe ekipit tim”.

Kryeqyteti Rinor Evropian (European Youth Capital), është një titull i dhënë nga Forumi Rinor Evropian i krijuar për të fuqizuar të rinjtë, për të nxitur pjesëmarrjen e të rinjve dhe për të forcuar identitetin evropian.

Çdo vit, një qyteti të ri evropian i jepet shansi për të shfaqur idetë, projektet dhe aktivitetet e tij novatore që synojnë të ngrenë zërat e rinj dhe të sjellin një perspektivë të re rinore në të gjitha aspektet e jetës së qytetit.

Ndërsa ka në fokus të rinjtë dhe zhvillimin e tyre.

Po ashtu, kjo platformë ka të bëjë edhe me transportin publik dhe infrastruktura, te programet kulturore dhe arsimore dhe politikëbërja demokratike.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore