Shqipëria

Rama: Të gjitha bashkitë pa një aktivitet që prodhon të ardhura, nuk ka më tolerancë


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, së bashku me ministren e Ekonomisë dhe Financave, Delina Ibrahimaj dhe ministrin e Brendshëm, Bledi Çuçi, zhvilluan një mbledhje publike me kryebashkiakët e qyteteve.

Fokus i takimit ishte pasqyrimi i reformës së decentralizimit dhe performancës financiare të Qeverisë vendore.

Rama në fjalën e tij tha se disiplina financiare e bashkive është sot një domosdoshmëri në të gjithë kontekstet.

“Ne do të hyjmë në një fazë shtrëngimi pa tolerancë, dhe kjo është e domosdoshme, sepse nuk mundet që akumulimi historik i borxheve të bëhet një rrugë edhe në vitet e ardhshme”.

Për Ramën nuk ka rritje të performancës financiare nëse nuk respektohet disiplina financiare.

Ai tha se asnjë bashki nuk ka një aktivitet që prodhon të ardhura, dhe theksoi se ato i kanë të gjitha mundësitë ta bëjnë këtë.

Si shembull solli “ndërtimin në funksion strehimi”, që nuk përdoret si metodë nga asnjë bashki e Shqipërisë.

Gjithashtu ministrja Ibrahimaj në pasqyrimin e financave, njoftoi se tre Bashki kanë përkeqësuar performancën e tyre financiare: Cërrik, Malësi e Madhe dhe Belsh.

Ndërkohë ekselentë në menaxhimin e financave publike janë: Gjirokastra, Shkodra dhe Këlcyra.

Kështu janë 10 bashki me probleme financiare, 45 pa probleme dhe 7 bashki në vështirësi financiare.

“Bashkitë me probleme duhet të hartojnë një plan veprimi brenda 20 korrikut”, tha ministrja.

Nëse kjo nuk ndodh do të merren masa si në të gjithë “botën”.

Ministrja shtoi se Vora dhe Kavaja janë dy bashkitë e vetme që kanë probleme të theksuara me performancën financiare – në prag falimentimi.

Nga ana tjetër, ministri Çuçi theksoi se reforma territoriale ka ardhur për të sjellë revolucion në decentralizimin e shërbimeve në qeverisjen qendrore.

Në vijim, ky ndryshim do të vijë dhe në qeverisjen vendore.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore