Zgjedhjet në Shqipëri

Rama nga Fieri: Taksa për biznesin e vogël, zero deri në 2029-n


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, dhe kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi, gjatë takimit në Fier, të dielën e 4 prillit, kanë falënderuar përfaqësuesit e biznesit të vogël për praninë e tyre.

Rama u ndal edhe te mandati i tretë që, sipas tij, është i domosdoshëm për arsye që dihen mirë tashmë.

Ai theksoi se “në fakt, nuk vijmë nga dy mandate. Vijmë nga një mandat me dy fatkeqësi të jashtëzakonshme”.

Kreu i qeverisë e cilësoi mandatin e dytë më të jashtëzakonshmin në vitet e pluralizmit, për shkak të tërmetit të 26 nëntorit dhe pandemisë së coronavirus-it.

Kryeministri u shpreh se, “për asnjë moment, nuk duhet ta harrojmë që jemi në luftë dhe që duhet t’i fitojmë betejat e kësaj lufte”.

Në vijim, Rama tha se deri në pranverën e ardhshme do të përfundojë rindërtimi. Gjithashtu, do të vijojë me hapa të shpejtë procesi i vaksinimit masiv për të lehtësuar turizmin.

Kryeministri foli edhe për biznesin e vogël. Sot, sipas tij, është dëshmia më kuptimplotë e vëmendjes dhe mbështetjes së qeverisë.

“Do të fshijmë nga faqja e dheut të gjitha gjurmët e tërmetit. Duhet të dalim sa më shpejt nga tuneli i pandemisë dhe duhet të kujdesemi me distancim. Me lehtësimin e sezonit turistik, të gjithë sipërmarrësit të fillojnë të marrin frymë më thellë në këtë periudhë të vështirë. Biznesi i vogël sot e ka taksën zero dhe kështu do të mbetet deri në vitin 2029. Angazhimi ynë është shumë i qartë”.

Kryeministri foli edhe për fiskalizimin, që do të bëjë që të gjitha taksat të jenë online.

“Jo vetëm taksat dhe TVSH-ja do të mbeten zero, por procesi i fiskalizimit po ecën shumë shpejt. Shumë shpejt nuk do të ketë asnjë kontakt me shtetin apo asnjë inspektor që do të vijë te dera, për shkak të modernizimit dhe digjitalizimit”.

Nga Fieri, Rama tha se biznesi i vogël mbetet një aleat strategjik, i vizionit dhe i strategjisë politike. Ai shtoi se biznesi i vogël është një motor i pashtershëm.

“Biznesi i vogël është aleat ynë strategjik, i vizionit dhe filozofisë tonë politike. Është një motor i pashtershëm që duhet ushqyer vazhdimisht me mbështetje dhe lehtësi. Ne jemi këtu për t’u siguruar këtë liri”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore