Shqipëria

Rama sulmon Rusinë dhe Iranin, kërkon zhbërjen e Speciales dhe forcimin e “Open Balkan”


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama u ndal te disa tematika kryesore për rajonin dhe botën gjatë fjalimit të tij në Asamblenë e 77-të të Kombeve të Bashkuara.

Fillimisht, kreu i qeverisë u sugjeroi anëtarve të Këshillit të Sigurimit që duhet të përqendrohen te siguria kibernetike.

Kjo, referuar mësymjeve të fundit të regjistruara në Shqipëri për të investuar në parandalim te vendet anëtare.

“Duke u përballur me një shkelje kaq flagrante të normave në një kohë paqeje, qeveria shqiptare nuk pati zgjidhje tjetër veçse të ndërpriste marrëdhëniet me Iranin. Shpresojmë që kjo masë të jetë shembull. I bëjmë thirrje OKB-së të përqendrohet te siguria kibernetike dhe duke investuar në parandalim”, u shpreh fillimisht kreu i qeverisë.

Sipas tij, ky sulm ishte tërësisht i paprovokuar dhe synonte paralizimin e shërbimit publik.

“Në Shqipëri 95 për qind e shërbimeve ofrohen online për të kursyer kohën, energjinë dhe përmirësojnë cilësinë. Korrikun e kaluar Shqipëria u bëj objekt i një sulmi të paprovokuar kibernetik që kishte synim paralizimin e shërbimit publik”, theksoi Rama.

Ai vërejti se bota nuk ka qenë asnjëherë vend i qetë dhe ka shumë sfida serioze që duhen trajtuar në mënyrë të duhur.

Referuar fjalës së kryeministrit, shumë vende janë bërë objekt i kapjes së pushtetit me forcë.

Kjo, në një kohë kur një mori krizash e kanë zhytur botën në trazim.

Rusia

Rama deklaroi më tej se Shqipëria do të vazhdojë të qëndrojë në solidaritet të plotë me Ukrainën.

“Për fat të keq këtë vit shpresat dhe besimet tona janë copëtuar hidhur, e garancitë tona janë shkelur nga një luftë e paramenduar në kontinetin Evropian. Agresioni mizor i Rusisë ndaj fqinjit të saj Ukrainës”, u shpreh kryeministri.

Kreu i qeverisë nënvizoi se në këto sesione bëhet kontrolli i përvitshëm i “shëndetit të botës”.

Sipas tij, bota po përballet me sfida të vazhdueshme ndaj paqes në shumë vende të ndryshme.

Kjo, përmes kërcënimeve të papranueshme edhe nukleare.

“Sulmi nuk është vetëm ndaj Ukrainës dhe popullit të saj, por është një sulm brutal ndaj arkitekturës së sigurisë evropiane, e kartës së OKB-së, është një betejë e hapur mes një tiranie cinike të vjetëruar dhe një demokracie në lulëzim”, ravijëzoi Rama.

Dick Marty

Rama theksoi para Asamblesë së Kombeve të Bashkuara se raporti i Dick Marty-t ishte tronditës.

Sipas tij, do të kujtohen me të drejtë vragat e shtypjes, represionit dhe gjenocidit në Srebrenicë apo spastrimit mizor etnik në Kosovë.

“Asgjë nga këto nuk është dhe nuk do të harrohet”, garantoi fillimisht kreu i qeverisë shqiptare.

Kryeministri shtoi se çdo përpjekje hetimore u bë gjatë këtyre 11 viteve për t’i provuar këto akuza.

“Asgjë, asnjë fjalë e vetme e gjithë aktakuzës nuk ka të bëjë me raportin e Këshillit të Evropës për krimin e pretenduar të organeve”, vijoi Rama.

Rama theksoi se “Dhomat e Specializuara kanë arrestuar pa padi ish-presidentin e Republikës së Kosovës Hashim Thaçi.

“Imagjinojeni një moment që presidenti apo kryeministri juaj merret nga zyra dhe çohet në një vend të tretë dhe mbahet pa asnjë aktakuzë në burg”, vijoi ai.

Rama e cilësoi aktakuzën si një dështim monumental dhe që nuk ka të bëjë me procedurat e gjykatës, por ka të bëjë me njollosjen e historisë së një vendi.

“Ne mendojmë dhe shpresojmë që Asambleja e Këshillit të Evropës do të ndërrojë të vërtetën dhe do të pranojë kërkesën e Shqipërisë për të pasur një raport vijues dhe të vendosë besueshmërinë e një organizate të rëndësishme ndërkombëtare”, deklaroi kryeministri shqiptar.

Open Balkan

Rama u shpreh se pavarësisht forcimit të marrëdhënieve me Serbinë, Shqipëria nuk lëviz asnjë centimetër nga qëndrimi për njohjen e pavarësisë së Kosovës.

“Ne në Shqipëri e kemi kuptuar që mënyra më e mirë për të ecur larg është të ecim së bashku. Mesazhi më i mirë i Ballkanit të Hapur është se nuk duhet të bihet dakord për gjithçka për të lënë pas të shkuarën e errët. Duke gjetur gjithmonë arsye të mira për të zgjidhur mosmarrëveshjet”, tha kryeministri.

Sipas tij, Open Balkan është një platformë për Ballkanin, për Malin e Zi, Kosovë, Bosnjën, Turqinë por edhe për Greqinë.

Mesazhi i kreu të qeverisë ishte lënia pas e të shkuarës dhe gjeta e arsyeve të shëndosha për të zgjedhur mosmarrëveshje.

“Duke forcuar marrëdhëniet e saj me Serbinë, Shqipëria nuk lëviz asnjë centimetër nga qëndrimi i saj për të mbështetur çdo vend për të njohur republikën e Kosovës”, theksoi më tej Rama.

Në përmbyllje, ai kujtoi se është koha që Kosova dhe Serbia të lëvizin në dialogun mes tyre.

Kjo, drejt një marrëveshje gjithëpërfshirëse të mbështetur nga Bashkimi Evropian dhe SHBA-të.

“Mbetem i bindur që Ballkani i Hapur do të lehtësojë këtë proces për të mirën e të gjithëve, shqiptarëve dhe serbëve”, ravijëzoi kryeministri i Shqipërisë Edi Rama.

Kujtojmë që kreu i qeverisë shqiptare ishte i teti në listën e folësve në sesionin e 24 shtatorit në Asamblenë e 77-të të Kombeve të Bashkuara.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore