Shqipëria

Rama: Shqipëria nuk lëviz asnjë centimetër nga qëndrimi për njohjen e pavarësisë së Kosovës


Kryeministri shqiptar Edi Rama, deklaroi se pavarësisht forcimit të marrëdhënieve me Serbinë, Shqipëria nuk lëviz asnjë centimetër nga qëndrimi për njohjen e pavarësisë së Kosovës.

Lajmi u bë i ditur gjatë debatit të përgjithshëm të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Kjo e fundit, është mundësia që krerët e shteteve dhe qeveritë të mblidhen në selinë e OKB-së për të diskutuar çështjet botërore.

“Ne në Shqipëri e kemi kuptuar që mënyra më e mirë për të ecur larg është të ecim së bashku. Mesazhi më i mirë i Ballkanit të Hapur është se nuk duhet të bihet dakord për gjithçka për të lënë pas të shkuarën e errët. Duke gjetur gjithmonë arsye të mira për të zgjidhur mosmarrëveshjet”, tha kryeministri.

Sipas tij, Open Balkan është një platformë për Ballkanin, për Malin e Zi, Kosovë, Bosnjën, Turqinë por edhe për Greqinë.

Mesazhi i kreu të qeverisë ishte lënia pas e të shkuarës dhe gjeta e arsyeve të shëndosha për të zgjedhur mosmarrëveshje.

“Duke forcuar marrëdhëniet e saj me Serbinë, Shqipëria nuk lëviz asnjë centimetër nga qëndrimi i saj për të mbështetur çdo vend për të njohur republikën e Kosovës”, theksoi më tej Rama.

Në përmbyllje, ai kujtoi se është koha që Kosova dhe Serbia të lëvizin në dialogun mes tyre.

Kjo, drejt një marrëveshje gjithëpërfshirëse të mbështetur nga Bashkimi Evropian dhe SHBA-të.

“Mbetem i bindur që Ballkani i Hapur do të lehtësojë këtë proces për të mirën e të gjithëve, shqiptarëve dhe serbëve”, ravijëzoi kryeministri i Shqipërisë Edi Rama.

Kujtojmë që kreu i qeverisë shqiptare ishte i teti në listën e folësve në sesionin e 24 shtatorit në Asamblenë e 77-të të Kombeve të Bashkuara.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore