Shqipëria

Rama: Shqipëria bëri revolucion digjital, hapa përpara rajonit


“Falë revolucionit digjital të bërë në tetë vjet, shqiptarët kanë kursyer 472 vjet kohë pritje dhe 4 milionë euro detyrime”.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar në konferencën e përjavshme për median mbi ekonominë, se “po hidhen bazat për një sistem të sigurt anti-kurropsion në shërbimet që u ofrohen qytetarëve”.

Sipas kryeministrit, në vitin 2013 “kanë qenë vetëm 1% e shërbimeve online”. “Sot, në 2021-shin, nga 14 shërbime online që ishin, kemi 1 mijë e 207 shërbime. Nga 50 mijë përdorues, sot kemi 1.87 milionë përdorues. Platforma e-Albania është kthyer në një histori suksesi”.

Për sa i përket shërbimeve, Rama theksoi se “nga 51 mijë aplikime në 2013, sot kemi 7.7 milionë aplikime”.

“Nëse në vitin 2013 kishte vetëm gjashtë regjistra elektronike, me total 630 mijë transaksione, sot 55 databaza që shkëmbejnë informacione në kohë reale me 145 milionë transaksione, i rritur 211 herë”.

“95% e shërbimeve janë online sot”, cilësoi Rama. “Qytetari nuk ka nevojë të shkojë në asnjë zyrë. As të takojë asnjë person ose të bëjë hapa për të shkuar në qendra fizike. Certifikatat e lindjes merren online. Dëftesat e nxënësve do të merren online”.

Pasaporta e vaksinimit anti-Covid do të jetë tërësisht e digjitalizuar dhe do të merret në e-Albania. Portali do të shërbejë edhe për përmirësimin e procesit të vaksinimit. Recetat shëndetësore nga mjekët kanë kaluar gjithashtu online dhe janë digjitalizuar.

Plani i Investimeve i Këshillit Evropian në Ballkan

“Jemi disa hapa përpara vendeve të tjera të rajonit për të thithur fonde nga Plani i Investimit të Këshillit Evropian për zhvillimin e rajonit të Ballkanit Perëndimor”.

Interesimit të Albanian Post mbi çfarë është diskutuar me Komisionerin për Zgjerim të Bashkimit Evropian, Oliver Varhelyi, kryeministri, Edi Rama, i është përgjigjur se “ky është ndër aktet më të rëndësishme që ka miratuar Komisioni Evropian”.

“Evropa vë fondin në dispozicion, por nuk i jep nëse nuk ka projekte të mirë konceptuara dhe të garantuara”, theksoi Rama.

Sipas kryeministrit, plani ka “vëmendje tek ndërlidhja rajonale dhe lidhet me vizionin e Shengenit rajonal”. “Duhet parë aftësia për të bashkëpunuar shtetet me njëri-tjetrin dhe për të harmonizuar kërkesat”.

“Po i kushtojmë një vëmendje shumë të madhe planit. Është ende herët për të folur për konkretizime. Infrastrukturë, rrugë, hekurudha, porte, energji. Energji e pastër e gjelbër. Hidrocentrale, energji diellore, energji e erës dhe digjitalizim. Plan konkret për zbatimin e këtij vizioni” ka përmbyllur Rama.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore