Shqipëria

Rama: Mbledhje konkrete – marrëveshje konkrete


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, nga takimi i shtatë në radhë mes qeverisë së Shqipërisë dhe Kosovës, deklaroi se është i lumtur që kjo mbledhje është konkrete dhe, si rrjedhojë, do të ketë marrëveshje konkrete.

Fillimisht Rama theksoi, gjatë fjalës së tij, se një sfidë e përbashkët mbetet “rritja e zbatueshmërisë së marrëveshjeve”.

Numri një i qeverisë shqiptare mirëpriti të premten e 26 nëntorit, kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, i cili mbërriti rreth orës 10:00 në ambientet ku qëndronin ministrat përkatës të të dyja qeverive.

Pas mbërritjes së Kurtit, të dy udhëheqësit u pozicionuan në tavolinën me qilimin kuq e zi dhe dy flamujt në trupin e saj.

Kurti iu bashkua të gjithë zyrtarëve që kishin vendosur maskat e dizajnuara për këtë takim “vëllazëror”.

“Kemi një numër marrëveshjesh dhe një pjesë janë në rrugën e zbatimit, një pjesë janë zbatuar, sfida e përbashkët është të forcojmë zbatueshmërinë e marrëveshjeve, të realizojmë një sinergji në të gjitha fushat”, tha në vijim të fjalës së tij kryeministri shqiptar.

Rama nënvizoi se sot bashkëpunimi mes të dyja shteteve “vjen më pranë njerëzve”.

Kryeministri shtoi se do të ketë një angazhim të përbashkët për heqjen e lejeve të përkohshme, apo për rregullimin e trafikut lokal të kufirit.

“Marrëveshja që kemi sot përpara, lehtëson procedurat për marrjen e një leje qëndrimi automatike. Nga ana tjetër krijohen kushte të favorshme për të dy anët e kufirit për aksesin në tregun e punës”, ravijëzoi Rama.

Kryeministri në fjalën e tij thekson se “njohja e sigurimeve shoqërore jep një mesazh kuptimplotë për qytetarët shqiptarë apo kosovarë”.

Sipas tij, njohja e diplomave heq një procedurë të tërë procedurash burokratike.

“Të diplomuarit do kenë njohje reciproke shumë shpejt, verifikimi do kryhet në mënyrë elektronike, hiqen shkresat burokratike, diskrecioni i përgjigjes sipas dëshirës së burokracisë”, tha në vijim të fjalës së tij Rama.

Ai pohoi se suksesi i kësaj marrëveshjeje mund të shërbejë si shembull për njohjen e diplomave në rajon e më gjerë.

Rama ndau edhe një lajm pozitiv – projektin e një Abetareje të unifikuar që do të kurorëzohet vitin e ardhshëm – një vit jubilar për pavarësinë e Shqipërisë.

Projekte të tjera

Rama e konsideroi një ëndërr të kahershme projektin e hekurudhës Durrës-Prishtinë.

Gjatë fjalës së tij, ai shtoi se po nënshkruhet një pikë akordësimi, për të filluar punimet për planin.

Lidhur me hapjen e tregjeve, kryeministri u shpreh se të dyja qeveritë kanë nevojë që të përmirësojnë kushtet.

Kjo, sipas tij, do të shtojë ndërveprimin tregtar.

“Krijimi i Sekretariatit Ndërkordinues do të jetë ndjekës në detaje i marrëveshjeve të nënshkruara dhe do të raportojë në zyrat e dy kryeministrave”, u shpreh Rama për rolin e Sekretariatit.

Më tej, për kryeministrin, ky Sekretariat do të ndjekë edhe angazhimin e të dyja qeverive.

“Sekretariati koordinues bashkëpunon ngushtësisht dhe koordinon aktivitetin institucional të të dyja palëve jo vetëm në nivelin ministror, por edhe në nivelin e organizatave apo shoqatave që kanë ndërveprim të angazhuar mes dy vendeve”, sqaroi Rama.

Në përmbyllje, kryeministri iu drejtua edhe kabinetit të qeverisë shqiptare dhe homologëve të qeverisë së Kosovës, se “gjithçka që kemi vendosur të jetë në krye të agjendës së punës të ministrave përkatës”.

Historiku i mbledhjeve

Në qytetin e Prizrenit do të mbahej edhe mbledhja e parë e dy Qeverive.

Kryeministri Edi Rama, së bashku me homologun e tij të asaj kohe, Hashim Thaçin, do të firmosnin “deklaratën për bashkëpunim dhe partneritet strategjik ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë”.

Kjo marrëveshje kishte në fokus fushën e transportit e infrastrukturën dhe bashkëpunimin tregtar.

Kryeministrat u pajtuan atëherë edhe për krijimin e një fondi të përbashkët për Luginën e Preshevës.

Mbledhja e dytë do të mbahej në vitin 2015, në qytetin e Tiranës.

Kryeministri i Kosovës në atë kohë, Isa Mustafa, do të pritej nga homologu i tij Rama, në qytetin e Tiranës, ku u firmosën 11 marrëveshje dhe protokolle bashkëpunimi në fusha të ndryshme.

Vëmendjen e takimit do ta merrte tryeza e rrumbullakët, e cila do të vishej me simbolet e Bashkimit Evropian, ku në qendër të saj do të ishte shqiponja e zezë.

Në vitin 2016, nga qyteti i Prishtinës, Qeveria Rama do të pritej nga Mustafa.

Në atë mbledhje u evidentuan arritjet e deriatëhershme.

Gjithashtu u diskutua për gjetjen e mekanizmave të rinj për zbatimin e marrëveshjeve të nënshkruara, lehtësimin e procedurave dhe përmirësimin e klimës së biznesit.

Më pas, në 2017-ën, nga qyteti i Korçës, u mbajt mbledhja e katërt e përbashkët e Qeverive, me moton “Një Tokë-Një popull-Një ëndërr”.

Këtë herë, Qeverinë e Kosovës e drejtonte Ramush Haradinaj.

Ndërkohë në Pejë në vitin 2018, do të zhvillohej mbledhja e 5-të e përbashkët ndërmjet qeverive.

Punimet e kësaj mbledhjeje u përmbyllën me nënshkrimin e nëntë marrëveshjeve e protokolleve të bashkëpunimit dypalësh.

Pas takimit qeveritar në Pejë, mbledhja e dy Qeverive, në 2019-ën u mbajt në Pallatin e Kongreseve në Tiranë, por nuk morën pjesë kryeministrat Edi Rama dhe Ramush Haradinaj.

Zëvendëskryeministrat e atëhershëm, Erjon Braçe dhe Fatmir Limaj, drejtuan mbledhjen koordinuese.

Në vitin 2020, mbledhja do të zhvillohej në qytetin e Tiranës.

Ndërsa, sot, më 26 nëntor 2021, në qytetin e Elbasanit dy qeveritë po zhvillojnë mbledhjen e përbashkët.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore