Shqipëria

Rama: Së shpejti nis puna për restaurimin e Xhamisë së Plumbit


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar se do të fillojë puna për restaurimin e Xhamisë së Plumbit në Shkodër.

Kjo, në kuadër të bashkëpunimit mes autoriteteve turke dhe atyre shqiptare.

Numri një i qeverisë gjendet në sheshin “Skënderbej”, së bashku me presidentin turk Recep Tayyip Erdogan.

Dy udhëheqësit përmbyllin vizitën e palës turke në xhaminë e restauruar të Et’hem Beut.

Fillimisht, Rama e konsideroi nder pjesëmarrjen e tij në këtë ceremoni.

Kjo, edhe pse shumë prej të pranishmëve, sipas tij, kishin ardhur për të dëshmuar mbërritjen e Erdogan-it.

Në podiumin e improvizuar, kreu i qeverisë shqiptare e konsideroi Xhaminë e Et’hem Beut një simbol të shkëlqyer të rilindjes së trashëgimisë kulturore në Shqipëri.

“Falë kujdesit të tij – referuar Erdogan – të drejtpërdrejtë dhe agjencisë turke TIKA, inxhinierëve, restauratorëve turq e shqiptarë, ne kemi sot disa nga xhevahiret të fesë që kanë rilindur plot shkëlqim”, u shpreh ndër të tjera Rama.

Xhamia e Et’hem Beut, sipas kryeministrit, është një nga simbolet më domëthënëse të historisë tonë dhe një pasqyrë mes marrëdhënieve tradicionale Turqi-Shqipëri.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore