Shqipëria

Rama-Sanchez: Memorandum për arsimin e lartë dhe marrëveshje për ekstradimin e ’57-ës


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, të hënën e 4 tetorit, ka nënshkruar memorandumin me kryeministrin e Mbretërisë së Spanjës, Pedro Sánchez, për bashkëpunimin në çështjet e arsimit të lartë dhe kërkimin shkencor.

Bashkëpunimi i universiteteve shqiptare me ato të huaj është një nga nismat e reja të qeverisë Rama, pas marrjes së mandatit të tretë.

Këtë e ka premtuar më herët kryeministri i vendit, gjatë fushatës së mbajtur për zgjedhjet parlamentare të 25 prillit.

Gjithashtu, në Spanjë, u nënshkrua dhe marrëveshja si shtesë e Konventës Europiane, për ekstradimin e vitit 1957.

Më herët, ishte ministri i Drejtësisë në Republikën e Shqipërisë, Ulsi Manja, që, në një deklaratë për mediat, bëri me dije se është arritur një marrëveshje me autoritetet spanjolle.

Sipas tij, “marrëveshja ka të bëjë me eliminimin e pengesave ligjore në fushën penale” dhe “në këtë mënyrë do të bëhet ekstradimi i shtetasve nga të dyja palët”.

“Një instrument shtesë në marrëdhëniet e dy shteteve”, e ka cilësuar ai.

Edhe kryeministri, në një postim në median sociale Facebook, e ka cilësuar vizitën e parë zyrtare të nivelit të lartë në Spanjë, si “një faqe të re” në këto marrëdhënie me “potencial të lartë” bashkëpunimi politik, ekonomik e kulturor mes Spanjës dhe Shqipërisë.

Në kuadër të agjendës së tij, Rama zhvilloi dhe një takim zyrtar me presidenten e Kongresit të Deputetëve të Spanjës, Meritxell Batet, në Madrid të Spanjës.

Të dyja palët shkëmbyen dhurata mes tyre, si shenjë simbolike për mikpritjen.

Pjesë e delegacionit shqiptar shoqërues të kryeministrit janë: ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi, ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, ministrja e Bujqësisë, Frida Krifca, dhe ministrja e Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, Edona Bilali.

Më parë, Rama u takua me sekretarët e Shtetit për Evropën e për Tregtinë, Industrinë dhe Turizmin.

Kreu i qeverisë shqiptare, bashkë me ministren e Bujqësisë, Frida Krifca, u mirëpritën në presidencën e Dhomave të Tregtisë dhe Korporatës së Sipërmarrësve (CEOE).

Agjenda e kryeministrit në Spanjë

Kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez (Presidenti i Qeverisë), mirëpriti në një takim homologun e tij, Rama, rreth orës 13:00 në Kompleksin Moncloa.

Rreth orës 16:30, Rama përmbylli vizitën e tij me një takim në Ministrinë e Universiteteve.

 

Ndërsa, ministrja Kushi në fund të shtatorit ka mirëpritur në Shqipëri, delegacionin nga Universiteti i Tuscia.

Ajo ka deklaruar se diskutimi u fokusua te hapat konkrete për programe të përbashkëta studimi, projekte të kërkimit shkencor, si dhe shkëmbime të ndryshme mes pedagogëve dhe studentëve.

Ndërsa kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në fillim të muajit shtator, deklaroi nga Italia se, me këtë nismë do të ketë më shumë prezencë të universiteteve publike italiane në Shqipëri, duke u dhënë mundësi studentëve që të mos largohen nga vendi i tyre.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore