Shqipëria

Rama riposton vendimin e Kurtit për shtyrjen e reciprocitetit


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka ripostuar në Twitter të martën e 2 gushtit vendimin e qeverisë së Kosovës për shtyrjen e reciprocitetit me Serbinë.

“Qeveria e Kosovës jep zotimin që të shtyhet zbatimi i dy vendimeve të datës 29 qershor 2022, deri me datën 1 shtator 2022, nga momenti në ditën e hënë, 1 gusht 2022, kur do të hiqen të gjitha barrikadat dhe të vendoset liria e plotë e lëvizjes në të gjitha rrugët në veri të Kosovës”, shkruhet në njoftimin e publikuar më 1 gusht.

Më herët, Rama deklaroi se e mbështet plotësisht qeverinë e Kosovës dhe autoritetet kosovare.

Kjo, lidhur me vendimet për dy masat e reja të qeverisë së Kosovës ndaj Serbisë.

Qeveria e Kosovës pranoi që të shtyhet për 30 ditë implementimi i këtyre dy vendimeve.

Sipas tij, ngjarja e djeshme (referuar 31 korrikut) është pasqyrë e vështirësisë së thellë që ka Kosova në këtë marrëdhënie.

Për Ramën, ushtrimi i sovranitetit në të gjithë territorin e shtetit të Kosovës, bazuar në marrëveshjen e dakordësuar mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, lidhur me temën që është bërë shkak i këtij acarimi, nuk është vetëm një e drejtë, por edhe detyrë e institucioneve të Kosovës.

“Në këtë pikë, unë e mbështes 100 për qind qeverinë e Kosovës dhe i mbështes 100 për qind autoritetet në Kosovë që kërkojnë që marrëveshja të zbatohet. Nuk kam asnjë dilemë për këtë”, garantoi kryeministri shqiptar.

Kërkesa për shtyrje njëmuajshe, sipas emisarit sllovak Miroslav Lajçak, u bë nga Shefi i Politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borell.

Kjo, ndonëse ambasadori amerikan në Prishtinë Jeff Hovenier ishte ai që e artikuloi në konferencë për media.

Hovenier kërkoi nga Qeveria e Kosovës, që të rishqyrtojë edhe një herë mënyrën e implementimit.

Qeveria pranon kërkesën amerikane, shtynë zbatimin e vendimit për 30 ditë

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore