Shqipëria

Rama: Në qershor fillon puna për Aeroportin e Vlorës


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka njoftuar të premten, në një takim me banorët e Vlorës, që në muajin qershor do të fillojë puna për Aeroportin e Vlorës, në kantier.

Ai ka shpjeguar edhe procedurën e garës ndërkombëtare për Aeroportin e Vlorës.

“Rreth gjashtë ose shtatë kompani kanë shprehur interes. Më pas, ra Covid-i, i cili goditi më keq industrinë aeroportuale”, u shpreh kryeministri.

Sipas tij, gara për kompanitë ka qëndruar e pezulluar për një periudhë, por më pas u rihap sërish.

“Më në fund kemi dy pjesëmarrës në garë, ku po bëhet vlerësimi i fundit. Fituesi do të shpallet sapo të mbarojë vlerësimi”, deklaroi Rama.

Sipas tij, do të duhen 30 ditë negocimi për kontratën dhe, më pas, ajo do të firmoset. Mobilizimi i kantierit kërkon 1 muaj kohë. Nëse gjithçka shkon mirë, që bazohet sipas procedurës, do të jemi në kantier, në qershor.

Ai ka treguar që qeveria po planifikon që vitin e ardhshëm të ndryshojë skemën e progresivitetit të taksës. Sipas tij, ata që marrin 400 mijë lekë nuk do të taksohen. Gjithashtu ka njoftuar që do të prezantohet dhe plani i veprimit 2021-2025.

“Ne po bëjmë kalkulimet nëse kjo është e mundur për vitin 2022. Nëse shihet që është e besueshme, atëherë do ta prezantojmë”, u shpreh Rama.

Rama: Meta, “bishti” i rrugës së Selenicës

Të premten, në një takim me banorët e Vlorës, Rama i është drejtuar edhe Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, duke e quajtur “bishti” i rrugës së Selenicës.

“Për fat të keq, presidenti është shpërdoruesi në vazhdimësi i institucionit dhe rolit të presidentit”, tha Rama.

Sipas tij, Meta po shpërdoron rolin e tij në funksion të ndërmarrjes politike që “formalisht, por jo realisht”, e drejton e shoqja.

Ai ka akuzuar presidentin që ka përdorur një projekt rruge për të përçarë, jo për të bashkuar.

“Nuk i mjaftoi Ilir Metës dhe leskovëve, që Vlora priti çerek shekulli, që të vinin investimet nga Tirana. Këtu, vetëm një 100-vjetor pavarësie u bë, iu dhanë disa lekë dhe u harrua”, deklaroi kryeministri.

Në vijim Rama shpjegoi edhe projektin e rrugës së Selenicës, duke treguar se kostoja e atij projekti doli “shumë e lartë”.

“Në vendosëm ta spostojmë si fond te rruga e Radhimës dhe ribëmë projektin, rreth 10 milionë dollarë”, shprehet Rama.

Gjithashtu, kryeministri thekson se, rikonceptimi i Sheshit Historik të Flamurit, do të vlerësojë më shumë elementet historike të sheshit.

“Këtu përfshihet pjesa e trashëgimisë së godinave, që i takojnë periudhës historike para luftës, si dhe pjesa që ka të bëjë me zonën arkeologjike, varrin e Ismail Qemalit, Monumentin e Pavarësisë, si dhe instalimi i katër topave të vilajeteve”, u shpreh Rama.

Në fjalën e mbajtur, deputeti i Partisë Socialiste (PS), Damian Gjiknuri, i ka bërë thirrje Metës që të shkojë në Vlorë, kur të bëhen inaugurimet e Rrugës së Selenicës dhe Radhimë-Orikum.

“I bëj thirrje kryebashkiakut të Selenicës të ftojë Presidentin e Republikës, të mos vijnë fshehurazi Vlorë, por bashkë të inaugurojmë punimet”, u shpreh deputeti.

 

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore