Shqipëria

Rama: Rajoni ynë është hallka e dobët e Evropës, mbështes alternativat e Macron


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, gjatë një interviste për emisionin televiziv “Ici l”Europe”, i cili transmetohet në “France 24”, ka theksuar se rajoni i Ballkanit Perëndimor është hallka më e dobët e kontinentit Evropian dhe për këtë fakt, kryeministri, mbështet plotësisht propozimet e presidentit francez, Emmanuel Macron, mbi krijimin e “Komunitetit Politik Evropian”.

Kjo e fundit sipas Ramës, nuk është thjesht një alternativë, por është një projekt konkret dhe një ide e re e hedhur nga presidenti francez.

Për këtë, kreu i Qeverisë tha se është një qasje kreative kundrejt një realiteti problematik, i cili është krijuar së fundmi.

Mirëpo, mbi hapjen e negociatave, ai nuk ka ngurruar të përmendë se bllokada bullgare e mëparshme, nëse do të vazhdonte, do të nënkuptonte edhe kërkesën e ndarjes së Shqipërisë nga Maqedonia e Veriut për rrugëtimin evropian.

Mirëpo ky aspekt final, duket se nuk do të duhet të ndodhë, për shkak të heqjes së vetos nga ana e Bullgarisë, të premten e 24 qershorit dhe duke qenë se tani radha për të folur, i takon vendeve anëtare të BE-së, të cilat pritet të japin dritën jeshile për nisjen e procesit me Tiranën dhe Shkupin.

Ndalim gjithsesi të nismave rajonale, nuk do të ketë dhe këtë Rama e argumenton me rrezikun me të cilin rajoni përballet.

Iniciativa të tilla si “Open Balkan” për kryeministrin, ndihmojnë në bashkëveprimin rajonal dhe në forcimin e marrëdhënieve. Kjo gjë, është më se e domosdoshme tanimë, me luftën në Ukrainë, pasi Ballkani, si hallka më e dobët e Evropës, nuk duhet të kërcënohet prej agresionit rus.

Një koment ai nuk e shmangu as mbi Ukrainën, për të cilën tha se marrja e statusit kandidat për në BE, s’ishte gjë tjetër veçse “një pilulë andidepresive” për të nxitur moralin, por thjesht kaq.

Për këtë shkak, ai shpreson se Kievit nuk do t’i duhen “170 vjet” siç maqedonasit po presin prej 17 vjetësh për nisjen e negociatave.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore