Shqipëria

Rama: Putini e përmend Kosovën, sepse në sytë e tij, ajo është shembulli kur Amerika “shkeli ligjet ndërkombëtare”


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i ftuar në një emision radiofonik të drejtuar nga gazetarët  Alaister Campbell dhe Rory Stewart, ka folur mbi zhvillimet e fundit në Ballkanin Perëndimor, pas fillimit të luftës në Ukrainë, duke vënë në piketë çështjen e Kosovës, të cilën presidenti rus, Vladimir Putin, jo pak herë e ka përmendur.

Sipas tij, e vetmja arsye se pse Putini e përmend Kosovën, është sepse në sytë e tij, ajo është shembulli kur Amerika “shkeli ligjet ndërkombëtare”.

Më konkretisht, për kreun e Qeverisë, mendja e Putinit e sheh Kosovën bashkëngjitur me çështjen e Krimesë dhe për të justifikuar këtë të fundit, të cilën ai e aneksoi në vitin 2013 nga Ukraina pa luftë, e bën historinë e Kosovës të tingëllojë si një pasqyrë ku të gjithë vendet aleate, të cilat morën pjesë në çlirimin e Kosovës, duhet të shikojnë vetë hipokrizinë e kreut të Kremlinit.

Megjithatë, sa i përket dinamikave politike në Ballkan, ai ka thënë se është më pak i shqetësuar tashmë, mbi atë çfarë mund të ngjajë në rajon.

“Kam qenë vërtet tepër i shqetësuar në fillim, sepse, pikësëpari mendoj që Bashkimi Evropian është realiteti i vetëm gjeografik në historinë e hartave me një kufi të jashtëm dhe një kufi të brendshëm. Dhe brenda këtij kufiri të brendshëm gjendet edhe Ballkani Perëndimor. Pra, është e pamundur të hysh në Ballkanin Perëndimor, pa hyrë më parë në territorin e BE-së”.

Kështu e parashtron fillimisht çështjen Rama, duke e qartësuar më pas se ndërkohë, është e pamundur të dalësh nga Ballkani, pa hyrë tërësisht në territorin e BE-së.

“Pra është si të kesh një stomak brenda trupit, por që ndahet me kufij”, ka paralelizuar ai.

Ndikimi rus, është po ashtu me rëndësi sipas Ramën, por jo sa i përket Shqipërisë dhe Kosovës, ku nuk ka shumë të tillë.

Për të, ndikimi më i madh është ai në Republika Srpska apo Mal të Zi, ku shumica mendon se Putini është një hero dhe po i tregon dhëmbët Perëndimit.

Teksa, mbi raportet me Serbinë, e ka ritheksuar sërish, se fqinjët nuk zgjidhen, por telashe me ta nuk duhen kërkuar. Rrjedhimisht, rruga e vetme, është bashkëpunimi dhe paqja, duke punuar të dy vendet në drejtimin e tyre.

Rrëfimi ndryshe i Ramës, nga arti i babait, tek problemet e rajonit në raport me Rusinë

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore