Shqipëria

Rama publikon pyetjen e fundit të ‘Këshillimit Kombëtar’: A sjell përfitime për Shqipërinë ‘Open Balkan’?


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, mesditën e 26 janarit në median sociale Facebook ka publikuar pyetjen e 12 të Këshillimit Kombëtar – pyetja e fundit.

Kjo pyetje lidhet me nismën rajonale të kurorëzuar “Open Balkan” – nismë e Ramës, e homologut të tij maqedonas, asokohe Zoran Zaev dhe presidentit serb Aleksandër Vuçiç.

“Ka njerëz që besojnë se krijimi i nismës ‘Ballkani i Hapur’ është në interes të Shqipërisë. Të tjerë thonë se kjo nuk sjell përfitime Shqipërisë. Si mendoni ju?”, kjo është dhe pyetja e e fundit e nismës së Ramës për ‘Kuvendimin Popullor’.

Rama në fund ka riftuar qytetarët që të bëhen pjesë e pyetësorit.

“Ju ftoj të gjithëve të bëheni pjesë e këtij kuvendimi popullor me rëndësi strategjike për shtëpinë tonë Shqipërinë”, përmbyllet postimi i Kryeministrit.

Mund të jetë një imazh i teksti

Një ditë më parë kreu i qeverisë shqiptare, bëri me dije se pyetësorin online e kanë plotësuar 30 mijë e 48 qytetarë.

Nisma e Këshillimit Kombëtar është fjala kyçe për Qeverinë e Shqipërisë në fillimin e vitit 2022, pasi u paralajmërua nga vetë Rama, në fund të 2021-shit.

Nën moton “Le të dëgjojmë njëri-tjetrin”, Rama ka ftuar herë pas here qytetarët që të bëhen pjesë e këtij procesi.

Në këtë proces mund të marrë pjesë çdo qytetar adult i vendit, duke dhënë mendime mbi çështje të caktuara.

Gjithsesi, metodologjia e përgjigjeve nuk është ajo e atyre të hapura, për të dhënë mendim, sa ajo e përzgjedhjes konvencionale, mes tri alternativash.

Çdo shtëpi në Shqipëri do të marrë një pyetësor, shumë kanë filluar t’i drejtohen formularit online.

Përpos të tjerave, vetë pyetësori mbetet në kuadër të anonimatit dhe nuk kërkon të dhëna personale. Por, nga i njëjti motor kërkimi, nuk mund të plotësohet më shumë se një herë.

Kjo është edhe mënyra se si është kërkuar të shmangen mendimet e shumëfishta nga një person i vetëm.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore