Shqipëria

Rama: Vizioni për 2030, Shqipëria e ardhmja e çdo shqiptari


Kryeministri i Shqipërisë, njëkohësisht edhe kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, gjatë ditës së mërkurë, prezantoi kandidatët e Partisë Socialiste (PS) në zgjedhjet e 25 prillit.

Ai u shpreh se vizioni për vitin 2030 është që “Shqipëria do të jetë e ardhmja e çdo shqiptari”.

Rama e nisi prezantimin me dy emra jo pak të njohur gjatë vitit të kaluar: Luljeta Bozo dhe Najada Çomo.

“Mirënjohje për gatishmërinë e kësaj skuadre të PS-së, për të çuar përpara këtë përpjekje për Shqipërinë, që është e ardhmja jonë. Faleminderit Luljetës e Najadës, dy heroina të kësaj kohe të jashtëzakonshme”.

Ai i cilësoi si dy nga gratë më të forta, pasionante dhe profesioniste në fushën e tyre, të cilat ishin vullnetare të vijës së parë, njëra për periudhën kur Shqipëria u godit nga tërmeti dhe tjera kur u shfaq coronavirusi.

“Për herë të parë në historinë e Kuvendit të Shqipërisë, pensionistët do të përfaqësohen nga një prej tyre, nga Luljeta”.

“Ajo dëshmon se mosha e vërtetë është mosha e shpirtit, mendjes, të cilat Luljeta i ka të mbushura me rini dhe, nga ana tjetër, se pasioni, dashuria për atdheun nuk ka kufi moshe”.

Kryeministri e cilësoi Najadën si një frymëzim.

“Najada, deputetja e heronjve tanë, në vijën e zjarrit. Përfaqësuesja e tyre, por edhe përfaqësuese e denjë e një përpjekjeje tërësore ku humbën jetën disa kolegë të saj në këtë betejë të egër”.

Në vijim, kreu i PS-së nuk la pa përmendur as kryesuesen e listës në qarkun Shkodër, Edona Bilalin.

Po ashtu, Rama falënderoi ministrin e Brendshëm, Bledi Çuçin. Ky i fundit është i përfshirë në listën e qarkut të Gjirokastrës.

“Bledi Çuçi, kapiteni ynë i skuadrës në Gjirokastër. Te kufiri i objektivit maksimal. Kërkoi të rrezikojë deri në fund, të vendoset i treti në listë”.

Rama nuk la pa falënderuar dhe ish-kryetarin e Bashkisë së Dibrës, Dionis Ymeri, i cili pranoi ftesën për të përfaqësuar Dibrën në Kuvend.

Kryeministri falënderoi të gjithë deputetët e rinj, të cilët u bënë pjesë e listës nga platforma “Deputeti që Duam”.

Edi Rama e cilësoi PS-në si një familje e madhe politike, familje mendjesh dhe zemrash, e bashkuar për të arritur qëllimin e madh që kanë.

“Ju lutem harrojini sondazhet, avantazhet, harrojeni sa shumë kemi bërë këto dy mandate, as sa shumë kemi punuar në terrenin organizativ. Fokusohuni te qëllimi, programi i punës tonë qytet-qytet, fshat-fshat, derë-derë, media-media, në çdo dritare të mundshme komunikimi”.

Por kryetari i PS-së, nuk e kurseu as ironinë për kandidatët në listat e Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim.

“Duan të rikthehen në qeveri me të njëjtat fytyra, por më të lodhura. Të atyre që duan të marrin vendin, edhe pse ecin në rrugë të paditur”.

Rama iu drejtua grupit të vet, duke u bërë një pasqyrë për kundërshtarët politikë.

“Problemi ynë më i madh janë kundërshtarët e çekuilibruar. Që kanë bërë gjithçka për ta humbur ndeshjen, program pa lidhje, një ekip mos o Zot, si një parking makinash të vjetra anash autostradës. Luli, si roje parkingu që fle gjumë; Monika që u bie borive të çmontuara për të ndaluar autokolonën tonë drejt fitores”.

Premtimet për mandatin e tretë

Rama bëri me dije se rroga minimale do të kapë vlerën e 400 mijë lekëve të vjetër.

“Ne jemi për të rihapur rrugën e re të Shqipërisë me 4 aeroporte që janë në proces, tre porte turistike, për të ndryshuar faqen e atdheut turistik”.

Gjithashtu, rëndësi të veçantë do t’i kushtohet çdolloj sektori.

“Jemi në sulm për të mbrojtur fëmijët nga humbja e perspektivës, në sulm për fermerët dhe për të vendosur drejtësinë. Për të shtrirë rilindjen në zonat rurale, që kanë nevojë dhe presin ndryshimin nëpërmjet fuqisë sonë”.

“Ne jemi ata që e kemi Shqipërinë mision. Ta bëjmë Shqipërinë të ardhmen e çdo shqiptari”, e mbylli Rama.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore