Shqipëria

Rama prezanton planin për mësuesit, shkollat dhe universitetet


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, gjatë një konferencë virtuale, mëngjesin e ditës së martë, 16 mars, sqaroi planin e veprimit 2021-2025, për mësuesit, shkollat dhe universitetet.

Në fillim, Rama u ndal te portali që u krijua për mësuesit “Mësues për Shqipërinë”. Ai theksoi faktin se, falë konkurrimit në portal, janë punësuar 11 mijë mësues në bazë të meritokracisë.

“Partia Socialiste e çliroi shkollën nga kthetrat e politizimit, duke u kthyer mësuesve dinjitetin e figurës së tij qendrore në shoqëri. Vendosi pacenueshmërinë e vendit të mësuesit dhe meritën në rekrutimin e mësuesve të rinj”.

“Fati i vendit të punës së mësuesit varej nga tekat e politikës, teserat e partisë, tarafi dhe ryshfeti i dikujt jashtë profilit apo pa arsimin përkatës, që i zinte vendin dikujt tjetër sa hap e mbyll sytë”.

Për sa i përket arsimit fillor, Rama tha se gjuha angleze do të mësohet që në klasë të parë.

“Është koha që gjithë fëmijët të mësojnë anglishten nga njëra anë dhe gjuhën bazë të komunikimit digjital nga ana tjetër. Vizioni ‘Shqipëria e ardhmja jonë’, kërkon që sot ta pajisim brezin e dekadës tjetër me dijet bazë”.

Kryeministri foli dhe për sistemin arsimor e infrastrukturën e saj.

“Tekstet shkollore sot janë falas për plot 250 mijë nxënës. Librat janë prej shtëpive prestigjioze, në përputhje me standardet evropiane”.

Po ashtu, kryeministri foli dhe për planin për vitin 2030 se nuk do të ketë më klasa kolektive dhe se mësimi me dy turne do të hiqet.

Rama theksoi, mbi të gjitha, faktin se paga e mësuesve do të rritet me 40%.

“Pagat e mësuesve u rritën 32% dhe do të rritet deri në 40%”.

“Shqipëria 2030 nuk kërkon vetëm tekste evropiane, por edhe një profil të ri të drejtuesve të shkollës. Shkollat u kthyen në kulla, ku emëroheshin si roja, apo kryeroja e kullës militante”.

Sipas tij, tani drejtuesit do të licencohen nga një shkollë profesionale, ku drejtorët do të kualifikohen për të fituar aftësi menaxheriale.

“Do të çelim programin kombëtar për artin dhe zejeve, për ciklin e shkollës së mesme, për t’i dhënë mundësinë të stërvitin mendjen dhe duart. Bota virtuale nuk duhet të marrë peng përfundimisht shqisat dhe mendjen e tyre”.

Kryeministri Rama u ndal edhe tek arsimi i lartë dhe universiteti. Sipas tij, mbetet pika kyç për zhvillimin e vendit. Gjithashtu, plani i tij lidhet me nevojat që ka tregu dhe “jo nga tekat dhe hesapet”.

“Sistemi i hyrjes në universitet është digjital, transparent dhe i patolerueshëm. Çdo ndërhyrje e manipulueshme lë një fakt”.

Rama foli edhe për programet profesionale, të cilat, do të kenë si perspektivë punësimin.

“Programet profesionale kishin vdekur, tani kemi programe me prioritet kombëtar. Bashkëpunim të ngushtë me universitetin privat dhe publik, për të mbushur boshllëkun e tregut”.

Nga buxheti i shtetit, sipas tij, do të vendosen 10 milionë euro për universitetet publike, me qëllim që të nxiten bashkëpunimet me universitetet ndërkombëtare.

“Universiteti Politeknik i Stambollit do të jetë vetëm dallëndyshja e parë”.

Kryeministri përmendi dhe ndërtimin e kampusit të ri të Universitetit të Tiranës, për të cilin tha se u pengua nga pandemia dhe tërmeti.

“Investimi më i madh i tre dekadave do të marrë jetë në mandatin e tretë”.

Risi tjetër në mandatin e tretë do të jetë plani i veprimit në fushën e IT-së.

“Çfarë kemi bërë, nuk mjafton për asgjë tjetër veçse për të vazhduar përpara”.

Në fund, Rama u bëri thirrje shqiptarëve se rruga është përpjetë, por maja shumë larg.

“Zgjidhja, shumë e thjeshtë: ju me ne dhe ne me ju për të shkuar drejt asaj maje”.

“Luhet fati i gjeneratës së të lindurve në këtë shekull të ri”, e mbylli Rama konferencën.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore