Shqipëria

Rama përplaset me Berishën për shkarkimet e kaskadës së Drinit


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka zgjedhur të replikojë me kryedemokratin Sali Berisha për shkarkimet e kaskadës së Drinit, me një deklaratë të vjetër të ish-kreut të qeverisë.

Në videon e shpërndarë në median sociale “Twitter” nga kryeministri shqiptar krahasohen deklaratat e Berishës në vitin 2010 dhe ajo e 21 nëntorit.

“3 mijë e 700 metër kub shkarkime. Në 2-3 natës ato arritën 4 mijë e 500. Shumë vështirë nuk mund t’i mbash, nuk ke rrugë tjetër. Mund të na detyrojë për derdhje më të mëdha”, theksonte Berisha në vitin 2010 gjatë qeverisjes së tij.

Ndërkohë që një ditë më parë Berisha akuzonte qeverinë për përmbytjen duke deklaruar se zonat e Shkodrës nuk u përmbytën nga shirat që ranë.

Rama ngriti më pas pyetjen se si mund të ketë akoma individë që shkojnë pas kryetarit të Partisë Demokratike.

“Pyetja nuk është se si mund të ketë kaq rrjedhje robi, po si mund të ketë akoma rob që shkojnë pas një rrjedhjeje të tillë?!”, nënvizonte kryeministri.

Situata

Reshjet e herëpashershme, me intensitet të ulët, nuk kanë ndikuar në përkeqësimin e situatës.

Kështu ka bërë me dije Qendra Kombëtare Operacionale e Emergjencave Civile në AKMC, lidhur me situatën në qarqet e prekura nga përmbytjet si pasojë e reshjeve.

Referuar të dhënave të fundit, situata paraqitet e normalizuar.

Në qarkun e Shkodrës nuk ka prani uji në asnjë banesë. Kështu, banorët janë kthyer në shtëpitë e tyre, duke ulur numrin e evakuimeve.

Kurse në Lezhë ka prani uji në katër banesa.

Forcat e emergjencave civile janë në gatishmëri dhe të ndihmë të banorëve, duke shpërndarë edhe ndihma humanitare.

Ndërkohë, janë shpërndarë 450 pako ushqimore për bashkitë Pukë, Vau i Dejës dhe Lezhë.

Niveli i të gjithë lumenjve është aktualisht në kuota nën nivelin kritik. Por situata do të monitorohet pa ndërprerje edhe në orët në vijim.

Në të gjithë vendin, akset rrugore paraqiten përgjithësisht të lira për qarkullimin e automjeteve.

Forcat e Armatosura, Policia e Shtetit, punonjësit e pushteti vendor, si dhe shërbimi mjekësor do të qëndrojnë në terren përgjatë orëve në vijim për çdo nevojë të qytetarëve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore