Shqipëria

Rama përfaqëson Ballkanin në takimin për “Evropën e re”


Pjesëmarrja e Shqipërisë në takimin për konceptin e Komunitetit Politik Evropian nuk do të jetë vetëm statistikore.

Kjo nismë, e cila mbështetet që në krijim nga kryeministri Edi Rama, do të jetë e dëshmuar edhe me një fjalim 10-minutësh të enjten e 6 tetorit.

Bëhet fjalë për ngjarjen më të rëndësishme të presidencës çeke në krye të BE-së, e cila zhvillohet, krah për krah me samitin joformal të EU27.

Kreu i qeverisë shqiptare është pjesë e një paneli të lidhur ngushtësisht me BE-në nga jashtë-brenda si Ukraina dhe Britania.

Rama do të flasë pas presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky dhe kryeministres së re britanike Liz Truss.

Agjenda dhe diskursi politik i kryeministrit ende nuk është zbardhur, por dihet më së mirë gjithëpërfshirja kombëtare.

Kujtojmë këtu përmendjen e liberalizimit të vizave me Kosovën gjatë hapjes së negociatave me BE-në apo shtjellimin total kundër raportit të Dick Marty-t dhe Speciales gjatë fjalës në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Prime Minister Edi Rama: Albania Has Acted Firmly Against Iran Regime's Illicit Activities - NCRI

Agjenda

Agjenda e parë e takimit të Komunitetit Politik Evropian është zbuluar më herët.

Ajo parashikon bashkimin e të gjithë liderëve nga kontinenti rreth një qëllimi.

Sipas asaj që është prezantuar deri tani, Komuniteti Politik Evropian, kërkon që ta rrisë dialogun politik dhe bashkëpunimin e shteteve në adresimin e çështjeve me interes të përbashkët.

Gjithashtu, synim është forcimi i sigurisë, stabilitetit dhe prosperiteti i kontinentit evropian.

Kjo platformë për koordinim politik nuk është replikim i asnjë organizimi tjetër, as për nga mbarëvajtja as për nga struktura dhe as nuk provon të krijojë një mekanizëm të ri të përhershëm në këtë fazë, thuhet në njoftimin që ka lëshuar Këshilli Evropian.

Në takim, përveç 27 shteteve të BE-së, do të jenë të pranishëm edhe përfaqësues të 17 shteteve të tjera evropiane, përfshirë edhe Kosovën.

Në agjendë do të ketë një tryezë të rrumbullakët edhe për “paqen dhe sigurinë” dhe pika të tjera do jenë edhe “energjia, klima dhe situata ekonomike”.

Në përmbyllje, do të ketë edhe një konferencë të përbashkët të organizatorëve.

Dëshmitë

Me pranimin për të marrë pjesë në një takim në bazë të konceptit të Komunitetit Politik Evropian, i cili do të zhvillohet të enjten në Pragë të Republikës Çeke, Truss, po afron jo vetëm Britaninë e Madhe me Francën, por (sërish) edhe me Bashkimin Evropian.

Mirëpo nga ana tjetër, për agjencinë e lajmeve “Reuters”, një zyrtar i lartë francez, ka thënë se takimi, zhvillohet edhe për t’i treguar Shqipërisë dhe Kosovës, se Evropa mund të bëjë shumë për ta, ndaj sytë nuk duhen kthyer nga Kina dhe Rusia.

Fakti se referimi i zyrtarit nga Elysee-ja reflekton vetëm Shqipërinë dhe Kosovën në deklaratë, nënkupton se ka një vëmendje të shtuar ndaj dy vendeve, përtej tablosë së përgjithshme rajonale.

Presidenti francez, Emmanuel Macron, i cili nga ana tjetër është edhe propozuesi i nismës së Komunitetit Politik Evropian, e ka bërë të qartë shqetësimin se negociatat mes unionit dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor, janë të gjata dhe mund të dekurajojnë këto vende në rrugën drejt anëtarësimit.

Një strukturë jashtë BE-së për Ballkanin Perëndimor, flet kryekorrespondenti i ‘Politico’ për Albanian Post

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore