Shqipëria

Rama pas takimit me Michel: Nga çelja e negociatave te nisma ‘Ballkani i Hapur’, në fokus


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, pas takimit me Presidentin e Këshillit Evropian, Charles Michel, bëri me dije se në fokus ka qenë rrugëtimi i vendit në Bashkimin Evropian dhe përmbushja e reformave, sidomos ajo në drejtësi.

Rama bëri me dije se u fol për procesin në vigjilje të Këshillit Europian kur dihet se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë në agjendë për çeljen e bisedimeve.

“Përtej vështirësive të procesit, aspekteve të mirënjohura të formalizimit të hapave të mëtejshëm për tu hedhur, jemi në një nivel krejt tjetër të bashkëjetesës në suazën politike evropiane si rezultat edhe i një vullneti gjithnjë e më të shprehur nga ana e BE-së, e autoriteteve në Bruksel për ta afruar më shumë Ballkanin Perëndimor drejt BE-së”, tha Rama në fjalën e tij sa i përket rrugëtimin evropian.

Numri një i qeverisë sërish ka përsëritur se në rast se Bullgaria vijon me veton e saj kundër Maqedonisë së Veriut, atëherë Shqipëria do të ndryshojë diskursin. Këtu Rama përmendi edhe vullnetin e shqiptarëve, të cilët u shprehën pro ndarjes së Shqipërisë nga Maqedonia e Veriut në rrugëtimin evropian.

 

“Shpresojmë që Bullgaria të heqë veton në rast të kundërt ne do të ndryshojmë diskursin, për tu shkëputur nga kthetrat e Bullgarisë më saktë”, u shpreh ai.

Ndërsa theksoi se “shpresoj që negociatat të hapen për të dyja vendet”.

Ata po ashtu kanë folur për situatën e përgjithshme, angazhimin dhe sfidat në raportin me luftën në Ukrainë.

“Ballkani i Hapur”

Ndër të tjera temë diskutimi ka qenë dhe nisma rajonale e kurorëzuar “Ballkani i Hapur” dhe ecuria marrëdhënieve mes vendeve. Po ashtu edhe sfidat e brendshme të rajonit.

Sipas Ramës me “Ballkanin e Hapur” synohet jetësimi i të gjitha parimeve të lirisë së BE-së: njerëzve, mallrave kapitaleve dhe shërbimeve.

“’Ballkani i Hapur’ vjen si rrjedhojë e procesit të Berlinit”, theksoi Rama duke shtuar se kjo e fundit ishte fillimi i nismës “Open Balkan”.

Mirëpo ftesa për vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, “është e hapur” për Ramën.

“’Open Balkan’ do të vazhdojë dhe jemi të hapura për të gjitha vendet që të vijnë të ulen dhe të punojmë së bashku”, vijoi Rama.

Kujtojmë se Kosova, Mali i Zi dhe Bosnje-Hercegovina nuk kanë marrë pjesë, në nismën e Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Reforma në drejtësi

Sa i përket reformës në drejtësi, Rama vuri në dukje goditjen e fundit të krimit nga Prokuroria e Posaçme dhe Policia e Shtetit.

“Të gjithë e ndoqëm dje operacionin shumë domethënës për të goditur një rrjet kriminal. Kështu i dhamë goditjen më të rëndësishme krimit të organizuar që ka vite që vazhdon kjo luftë”, u shpreh ai.

Rama e quajti këtë operacion një “shembull kuptimplotë të vënies së tyre përpara drejtësisë”.

Nga ana tjetër kreu i qeverisë “për të disatën herë” shprehu mirënjohjen për BE-në në ndihmën e saj pas tërmetit shkatërrues të 26 nëntorit 2019-të dhe në periudhën e pandemisë së COVID-19.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore