Shqipëria

Rama pas largimit të barrikadave në veri: Asgjë e re, fundi qe po i njëjti


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, deklaroi pas largimit të barrikadave në veri të Kosovës, se “asgjë e re” nuk ndodhi.

“Shfaqja zgjati ca më shumë, tensioni u ngrit ca më lart, fjalët u këmbyen me ca më shumë zjarr, manovrat ushtarake patën ca më shumë hov, po fundi qe po i njëjti dhe të gjithë u kthyen në shtëpi, sekush me fitoren e vet me vete si gjithmonë!”, shkruan kreu i Qeverisë në Twitter.

Sipas tij, diçka e padëgjuar ndodhi me kuptimin e ri i barrikadës.

Rama ruajti të njëjtin qëndrim diplomatik me kryediplomaten Olta Xhaçka duke ironizuar deklaratat e homologut të saj serb, Ivica Daçiç.

“Pas 434 vjetësh (barrikada – ed) hyri në listën e mjeteve të protestës paqësore me bekimin e BE dhe të SHBA! Shpresojmë në mirëkuptimin e aleatëve tanë strategjikë për të mos qenë dakord në këtë pikë. Po fare!”, vijon në reagimin e tij kryeministri.

Rama shkruan në përmbyllje se pyetja mbeti po ajo që ishte përpara këtyre “barrikadave paqësore e deklaratave armiqësore”.

“Deri kur përgjigjet e ndryshme të nisen po njësoj nga e shkuara, pyetja do të mbetet po aty edhe pas shfaqjes së rradhës, kur barrikadat të thyejnë paqësisht monotoninë e hiçzgjidhjes!”, theksoi kreu i Qeverisë.

Xhaçka i kundërpërgjigjet Daçiç: Barrikadat nuk janë mjete proteste paqësore

Në barrikadën në Rudare të Komunës së Zveçanit në veri të Kosovë filloi më herët largimi i kamionëve që kanë bllokuar lëvizjen e lirë në rrugën Mitrovicë-Leposaviç.

Në veri të Kosovës janë të vendosura disa barrikada, kryesisht në rrugët që çojnë në dy pikat kufitare të Kosovës me Serbinë, Jarinje dhe Bërnjak, të cilat janë vendosur nga 10 dhjetori, por të cilat po pritet të largohen në orët në vijim.

Pika kufitare “Merdare” e cila për dy ditë ka qenë e bllokuar në anën e territorit serb sot në mëngjes u lirua dhe Policia e Kosovës njoftoi se gjithçka në këtë pikë u kthye në normalitet.

Vendimi për heqjen e barrikadave nga rrugët është marrë pas bisedimeve ndërmjet përfaqësuesve të serbëve të Kosovës dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, të mbajtura në Rashkë, një qytet serb në afërsi të kufirit me Kosovën.

Kushtet për heqjen e barrikadave u krijuan pasi Gjykata Themelore në Prishtinë dje, me kërkesë të Prokurorisë Speciale të Kosovës, e zëvendësoi masën nga paraburgimi në arrest shtëpiak për ish-policin serb të Policisë së Kosovës, Dejan Pantiç, për arsye shëndetësore dhe për mungesë kushtesh.

Largohen barrikadat në Veri

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore