Shqipëria

PS prezanton arritjet e Reformës në Drejtësi


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, të mërkurën, përmes një dalje publike, ka prezantuar arritjet që sipas tij ka shënuar qeveria me Reformën në Drejtësi.

“Reforma në drejtësi, sot e prekshme për të gjithë. Një reformë që vetëm PS mund ta ideonte, ta hartonte dhe zbatonte. PS mori një hap historik si kurrë më parë në 30 vjet pluralizëm”, ka deklaruar ai.

Rama ka treguar se Shqipëria është “përmirësuar” në fushën ekonomike, e infrastrukturës, shëndetësisë etj. Drejtuar popullit shqiptar, ai shprehet se “nuk mund t’i lejmë në mes të gjithë këto punë”. Sipas tij, drejtësia e re ndërtohet me “një proces të mundimshëm, të thellë e demokratik”.

“Drejtësia e re nuk ndërtohet me drapër e çekanë, as me dënime partie, e as me urdhra partie, por me një veprim të thellë demokratik, me një vrapim maratone”, shprehet ai.

Akuzat e Ramës ndaj opozitës dhe presidentit

Gjithashtu, kryeministri i vendit ka hedhur akuza ndaj presidentit të Shqipërisë, Ilir Meta, për mosrespekt ndaj “detyrës më të lartë të shtetit” dhe ndaj Kushtetutës.

Sipas tij, udhëheqësit e rezistencës janë dy të frikurit më të mëdhenj të reformës, Presidenti i Republikës dhe ish-Presidenti më famëkeq i Republikës.

“Ilir Meta nuk ka respekt për detyrën më të lartë të shtetit, për nderin më të madh që një popull, një vend, një shtet mund t’i bëjë një individi të vetëm. Nuk ka respekt as për Kushtetutën dhe për krejt njerëzit e këtij vendi, por ka vetëm hallin që tanimë e kanë marrë vesh dhe gurët e drurit të këtij vendi”.

Rama i është drejtuar dhe opozitës së vendit, duke i quajtur si “të këqijtë e vetting-ut”.

“PD, LSI, dhe KÇK sot janë tre këmbët e së keqes së vetting-ut. Për inat të qeverisë, apo për inatin tim, ju nuk votoni fare, atëherë do të bëni një prej atyre gabimeve fatale në jetën e një vendi”.

Punën për reformën në drejtësi mund ta niste dhe mund ta përfundojë vetëm një forcë politike në Shqipëri, Partia Socialiste e Shqipërisë.

“Ky që vjen është mandati i pestë për Saliun, Lulin e Monikën. Sa herë fitojnë ata, Shqipëria humbet”, ka deklaruar ai.

Vasilika Hysi largohet nga PS

Nënkryetarja e Kuvendit, Vasilika Hysi, është larguar nga Partia Socialiste (PS). Këtë e ka bërë të ditur vetë kryeministri.

“Vasilika më ka bërë me dije se ka vendosur t’u hapë rrugën kalamajve. Vasilika, me gjithë konsideratën, besoj nuk kishte vend më të mirë se ky, ku ti ke një rol kyç për çka kemi bërë për reformën në drejtësi”, është shprehur Rama.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore