Shqipëria

Rama: Nuk jemi ndër më të varfrit në Evropë, por ndër më pak të pasurit/Vijojmë reformat


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, gjatë intervistës për TV5 Monde

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka qenë i ftuar në një intervistë për televizionin francez TV5 Monde, ku ka folur për pjesëmarrjen në Asamblenë e Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, situatën politike në Shqipëri dhe integrimin drejt Bashkimit Evropian.

Gjatë një kronike të shkurtër të shfaqur, gazetarja iu referua Shqipërisë si një ndër vendet më të varfra në Evropë. Mirëpo, për Ramën, nuk është ky rasti.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe kabineti i tij qeverisës, bëjnë ecjen e parë drejt Kryeministrisë pas betimit në Presidencë

“Nuk jemi ndër vendet më të varfra por ndër vendet më pak të pasura. Nuk jemi një vend i vend i varfër i një kontinenti tjetër. Jemi një vend Evropian më pak i pasur”, tha Rama pasi pa kronikën.

Ai gjithashtu shtoi se vendi ka sigurisht probleme, por po punohet për të bërë reforma dhe për t’i zgjidhur ato. Ndërsa për kryeministrin, Shqipëria është në rrugën e duhur. Në të kundërt, Këshilli Evropian, nuk do të rekomandonte hapjen e negociatave me BE-në.

Pikërisht kjo pikë ngjalli edhe insteres diskutimi.

Kreu i Qeverisë, i pyetur nëse shqiptarët ndihen të frustruar me sjelljen e BE-së, tha se “e frustruar, është vetë Evropa me problemet e saj”.

Ndërsa një nacionalizëm i ekstremit të djathtë që po lulëzon në Evropë, po ndikon edhe mbi qeveritë e vendeve për të marrë vendimet.

Rama gjendet në New York në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, ku ka mbajtur ditën e djeshme edhe fjalën e tij.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, gjatë fjalës së tij në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së

Mbi rolin e Shqipërisë në Këshillin e Sigurisë së OKB-së vitin e ardhshëm, kryeministri ka shprehur nderimin që shqiptarët kanë për këtë pjesëmarrje.

“Jemi vend i vogël por kemi ide shumë të qarta. Do të bëjmë çështje e mundur për të çuar përpara objektivat e OKB-së. Të një bote më të mbrojtur nga ndryshimet klimatike, barazisë mes burrave e grave, më solidare dhe kundër terrorizmit”.

Emigracioni dhe refugjatët

Interesi ndërkombëtar mbi refugjatët afganë vijon të jetë i lartë. Mikpritja shqiptare i ka habitur jo pak evropianët.

I pyetur mbi çështjen, Rama theksoi se nuk ishin SHBA-të, ato që e shtynë Shqipërinë të merrte vendimin mbi strehimin e tyre. Më parë, ka pasur edhe qasje nga organizata ndërkombëtare, të cilat kanë kërkuar ndihmë tek shqiptarët.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, takon disa nga refugjatët afganë

Pikërisht për këtë fakt dhe për humanizmin që i karakterizon, për historinë dhe traditën, Shqipëria mori përsipër strehimin e afganëve.

Por, kjo mikpritje sipas gazetares franceze, bie ndesh me emigracionin masiv të shqiptarëve drejt vendeve të BE-së.

Për këtë, Rama mendon se është problem me të cilin përballen të gjitha vendet e Lindjes. Qofshin ato anëtare të BE-së, qofshin vende kandidate.

Ndërsa për mandatin e tij të tretë në krye të vendit, kryeministri theksoi se do të vijohen reformat e rëndësishme në vend.

Ai ravijëzoi se do të punojë më tej për modernizimin e vendit dhe për të vijuar Reformën në Drejtësi.

Hapa janë bërë përpara në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Këtu, duke përfshirë edhe zyrtarë të lartë.

“Duhet të luftojmë shumë gjëra të së shkuarës por sigurish ka shpresë për të ardhmen” përmbylli Rama.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore