Shqipëria

Rama nuk i ndahet zotimit për satelitët, por kërkon durim


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka kërkuar durim për lëshimin e satelitëve “shqiptarë”, pasi vonesat “s’janë në dorën e tij”.

Kreu i qeverisë i është rikthyer kësaj tematike në Twitter duke replikuar me qytetarët dhe ndjekësit.

Rama shprehet se ata po shfaqin një “padurim të madh”.

Komentuesit, sipas kryeministrit shqiptar, “thonë ç’të duan pa pyetur fare”.

Në përmbyllje, kryesocialisti garanton se ai “thotë atë që bën dhe bën atë që thotë”.

“Kur vonesat s’janë në dorën time thjesht bëj durim,po zotimit s’i ndahem jo!”, theksoi Rama në Twitter.

Kryeministri do të deklaronte gjatë muajit tetor të vitit të kaluar se Shqipëria do të ketë satelitët e saj.

Duke rritur në këtë mënyrë kapacitetet e kontrollit të territorit në të gjitha aspektet.

Në një deklaratë për mediat pas mbledhjes së kryesisë së Partisë Socialiste të Shqipërisë, Rama nënvizonte se Shqipëria do të ketë satelitë dhe dronë inteligjentë së shpejti.

Këto, për të forcuar kontrollin mbi të gjithë territorin e vendit.

Lajmi

Lajmi i lëshimit të satelitëve shqiptarë Albania 1 dhe Albania 2, bëri jo pak bujë pasi u konfirmua nga vetë kryeministri Rama.

Me ardhjen e vitit 2022, website të ndryshme me fokus në lëshimet e misioneve hapësinore janë rakorduar edhe për datat e mundshme të lëshimit të dy satelitëve tanë.

Space Coast Lunches, një nga faqet më prestigjioze të të apasionuarëve pas hapësirës ka zbuluar dy data për muajin mars dhe qershor.

Në faqen Space Launch Schedule zbulohej sakaq se gjatë muajit mars ishte regjistruar një lëshim në hapësirë që përputhej me misionin shqiptar.

Por, kjo e fundit nuk gjeti konfirmim.

Albania 2

Gjatë muaji qershor, Space Coast Lunches, lajmëron vetëm një datë me mision hapësinor.

Mjeti “Falcon Heavy” përkon me bashkëpunimin mes qeverisë shqiptare dhe kompanisë SpaceX.

Por, misioni nuk përputhet, pasi raketa do të nisë misionin USSF 52 për Forcën Hapësinore të Shteteve të Bashkuara.

Qëllimi i këtij mjeti do të jetë nisja e një ngarkese të paspecifikuar ushtarake.

Në faqen Space Launch Schedule, sakaq zbulohet se një tjetër lëshim i SpaceX do të mbyllë muajin qershor.

Një raketë Falcon 9, e njëjtë me misionin e muajit mars, do të lëshojë në orbitë në një mision të përbashkët udhëtimi – satelitë të shumtë të vegjël nga klientët amerikanë dhe ndërkombëtarë.

Misioni, i njohur si “Transporter 2” dhe që pritet në javën e fundit të qershorit, pason nisjen e parë të “Transporter” të SpaceX në muajin janar, i cili dërgoi 143 satelitë të vegjël në orbitë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore