Rama: Nuk i komentoj vendimet e gjykatave, por nuk më ndalon askush të ndaj opinionin tim

Edi Rama ka reaguar sërish në lidhje me dënimin e deputetit demokrat Ervin Salianji me 1 vit burg sa i takon dosjes “Babale”
SHFLETO
Rajmonda Basha
27.09.2024 19:31
Loading Icons...

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka reaguar sërish në lidhje me dënimin e deputetit demokrat Ervin Salianji me 1 vit burg sa i takon dosjes “Babale”.

Përmes një postimi të gjatë në platformën X dikur Twitter, kreu i qeverisë nënvizon se “viktimizimi i një të dënuari për një vepër të turpshme, e cila mund të konsiderohet kryevepra e turpit të Mbretërisë së Shpifarakëve tregon se sa poshtë ka rënë niveli i kuptimit të botës sonë mediatike për peshën e rëndë të shpifjes në jetën e një shoqërie”.

“Ideja se një politikan mund të shpifi lirisht në emër të popullit që e ka zgjedhur, ndërsa kush lufton me shpifësit ligjërisht apo e thotë hapur si puna ime, se dënimi i një shpifësi është një lajm i mirë për lirinë e për demokracinë, nuk qenka tjetër përpos një shtypës i fjalës së lirë e i opozitarizmit, është një ide që ka marrë zë të lartë prej mbrëmë, pikërisht sepse shpifësit e të gjitha foltoreve e banaqeve ndjehen të kërcënuar në lirinë e tyre për të sakatuar me shpifje publikisht, këdo që nuk e mundin dot politikisht me fakte e me argumente”, vijon ai me postimin.

Më tej ravijëzon se “sa për mua që nuk i komentoj vendimet e gjykatave, kjo vlen gjithnjë kur ato vendime nuk janë të formës së prerë apo edhe kur mund të mos më bindin personalisht, sepse kurrë nuk mund t’i ve në diskutim punët e drejtësisë, por nuk më ndalon dot askush që ta ndaj publikisht opinionin tim kur drejtësia bën drejtësi deri në fund”.