Zgjedhjet në Shqipëri

Rama: Nuk është mëkat që të rinjtë ikin, por Shqipëria do të ndryshojë


Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një takim elektoral me banorët e Prrenjasit. Vëmendjen kryesore, ai ia ka kushtuar çështjes së largimit të të rinjve dhe reformave të ndryshme. Sipas tij, ato “do ta bëjnë Shqipërinë një vend më të mirë për të jetuar”.

“Nuk është mëkat që të rinjtë ikin”, deklaroi Rama. “Po, është shumë e rëndësishme që kur largohen, ata të kenë edhe shkollim, në mënyrë që të gjejnë punë atje”.

Pikërisht për këtë fakt, Rama soli në vëmendje reformën në arsim. “Nuk ka pasur asnjë ankesë për reformën në arsim. Investimi që bëjnë prindërit për fëmijët e tyre nuk shkon dëm”.

Ndër, të tjera, thirrjen e tij për të votuar Partinë Socialiste, Rama e shoqëroi me faktin se “nëse merret ky vendim nga qytetarët, Shqipëria do të ndryshojë një herë e përgjithmonë”.

“Unë besoj që dielli i Shqipërisë nuk është i bukur vetëm për turistët e huaj, por mund të bëhet i bukur për të gjithë shqiptarët. Ne po kalojmë më në fund hendekun e madh që hapi mes nesh dhe shqiptarëve tërmeti dhe pandemia”.

“Është koha të besojmë jo duke parë ëndrra në gjumë, por duke parë realitetin e fakteve, kantiere, që tregojnë se shqiptarët do të fuqizohen së bashku”, vijoi kryeministri.

Rama ka komentuar edhe mbi kritikat se “Shqipërisë nuk i nevojiten kaq aeroporte sa po ndërtohen”.

“Kroacia ka 9 aeroporte me 4 milionë banorë. Të jeni të bindur miqtë e mi se ndarja është shumë e qartë, mes atyre që tjetër thonë e tjetër bëjnë, dhe atyre që bëjnë atë që thonë dhe thonë atë që bëjnë. Këta të fundit jemi ne, Partia Socialiste e Shqipërisë”.

Një tjetër koment i kryeministrit, ka qenë ai i mbi rritjen e eksporteve bujqësore. Rama ka shprehur sërish bindjen se ato do të arrijnë mbi një miliard.

“Në mandatin e tretë, pa asnjë dyshim, do të shkojnë mbi 1 miliard eksportet bujqësore, sepse e kemi shtruar rrugën, duhet vetëm të vazhdojmë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore