Shqipëria

Rama nga WPC: Reformat globale jo thjesht hegjemonike, por harmonike


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, gjatë fjalimit të tij në Konferencën e Politikave Botërore në Abu Dhabi

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, pjesëmarrës në Konferencën e Politikave Botërore në Abu Dhabi, gjeti rastin të fliste mbi politikat globale, të cilat sipas tij duhet të jenë multilaterale, por jo thjesht hegjemonike, sa harmonike.

Sipas Ramës, globalizmi është i ngjizur për të qëndruar në këtë botë.

“Për sa kohë jetojmë në të njëjtin planet e na ngroh i njëjti diell, duhet të qasemi për nga interesat tona të përbashkëta”, tha kreu i Qeverisë shqiptare.

Përtej faktit se disa shtete refuzojnë të bashkëpunojnë, ai thotë se problemet e përbashkëta i lidhin popujt me njëri-tjetrin.

Pika kryesore për Ramën, ishin ndryshimet klimatike, shuarja e konflikteve në botë dhe çështjet e sigurisë.

Paneli ky Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, mbajti fjalën e tij në WPC

Për të parat, ai theksoi se Shqipëria është një ndër vendet që po merr masa. Një agjendë e njehsuar e atë të Evropës për vitin 2030, është gati nga Shqipëria. Këtu përfshihen edhe energjitë e rinovueshme si burim alternativ i elektricitetit. Ndër to, ajo e erës dhe diellit.

Mbi konfliktet, Rama përmendi rastin e Emirateve të Bashkuar Arabe, të cilat sipas tij, kanë qenë shembull suksesi i dialogut.

“Emiratet janë një model për multilateralizmin dhe paqen. Akordet e Abrahamit e tregojnë qartësisht këtë gjë, ku nuk u harrua e shkuara, por u pa për nga e ardhmja”.

Çështje me rëndësi e shtruar nga ai, ishin edhe problemet e “cyber” sigurisë në botë, ku për të, të gjithë shtetet të avancojnë dhe të mos mbesin mbrapa.

Kjo për Ramën, është një kohë sfidash globale dhe adaptimi sa më i shpejtë i këtyre strukturave, është domosdoshmëri.

Vendi i vogël për ndryshimet e mëdha

Përmendja e sfidave personale të Shqipërisë, nuk mungoi në fjalimin e kryeministrit përpara krerëve të tjerë botërorë.

Ai cilësoi kryesimin e OSBE-së nga Shqipëria si një periudhë e suksesshme ku u nënshkruan shumë marrëveshje pikërisht mbi këto çështje që shqetësojnë gjithë njerëzimin.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, gjatë kohës kur mbante kreun e OSBE-së

Lufta ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit, ka qenë ndër objektet kryesore të bisedës.

Shqipëria gjithashtu do të jetë për herë të parë pjesë e Këshillit të Sigurisë pranë Organizatës së Kombeve të Bashkuara, gjatë mandatit të përkohshëm 2022-2023.

“Ky besim i OKB-së, do të sjellë një perspektivë tjetër në Këshill”, tha Rama. “Perspektivën e një vendi të vogël ndaj multilateralizmit”.

Gjeste si ai shqiptar në strehimin e afganëve, nuk u anashkaluan në fjalimin kryeministror.

Ndërsa mesazhi përfundimtar, ishte një, i vetëm dhe i qartë: Bota duhet të shohë përpara.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore