Shqipëria

Rama nga Sofja: Dialog për zgjidhjen e ngërçit Bullgari-Maqedoni e Veriut


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka publikuar nëpërmjet Facebook-ut, takimin e tij me presidentin e Bullgarisë, Rumen Radev, ku ndër të tjera është diskutuar edhe për çështjen e mbetur në ngërç midis Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Bullgarët kanë vendosur veton ndaj hapjes së negociatave të maqedonasve me Bashkimin Evropian, duke krijuar kështu edhe një pengesë për Shqipërinë në rrugëtimin e saj drejt unionit. Kjo, për shkak se rruga shqiptare për në BE, shihet e bashkërenduar me atë maqedonase.

“Mëngjes pune me presidentin Rumen Radev, mbi marrëdhëniet e shkëlqyera bilaterale dhe nevojën për dialog mes palëve për zgjidhjen e ngërçit kritik mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut”, shkruan Rama.

Kryeministri e konfirmon se ky ngërç, e pengon direkt edhe thirrjen e konferencës së parë ndërqeveritare Shqipëri-BE.

Mbrëmjen e 8 qershorit, kryeministri ka takuar homologun e tij bullgar, Stefan Yanev, ku ka theksuar rëndësinë e po të njëjtit fakt.

“Është një çështje mjaft e ndejshme këtu dhe në vendin vëlla të Maqedonisë së Veriut. Por jemi të përfshirë pavullnetshëm. Po presim vendimin e BE-së për çeljen formale të negociatave në konferencën e parë ndërqeveritare”, do të deklaronte Rama.

Presion ka ushtruar edhe ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Mass. Kjo, pas drejtimit të takimit virtual, midis ministrave të Jashtëm të Ballkanit Perëndimor.

“Ne kemi nevojë për të rifilluar procesin e zgjerimit. Për të ecur përpara me pajtimin rajonal”, do të shkruante ai në Twitter pas takimit. “E ardhmja e Ballkanit Perëndimor, është Bashkimi Evropian”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore