Shqipëria

Rama në Konkursin e Fundvitit: Fëmijët, prioritet mbi prioritete


“Qeveria ka prioritet mbi çdo prioritet, fëmijët”.

Kështu e ka ‘titulluar’ kryeministri Edi Rama nismën për Konkursin e Fundvitit, ku të mërkurën e 26 janarit ka ndarë çmimet e fotografive më të mira.

Dhe për këtë prioritet, ai ka ravijëzuar se është në rrafshin e punëve konkrete për t’i drejtuar fëmijët e shkollave drejt artit.

Për të, “është kënaqësi e veçantë që kaq shumë njerëz i janë përgjigjur pozitivisht ftesës spontane” të dërguar prej tij.

Tre shkollat fituese janë shkolla 9-vjeçare “Xhevdet Doda” e Bulqizës, “Naim Frashëri” e Gjirokastrës dhe fituesja e vendit të parë shkolla artistike “Ajet Xhindolli” e Beratit.

Rama ka ravijëzuar se ky konkurs meriton të kthehet në traditë, në mënyrë që në vitet që do të pasojnë të ketë më shumë pjesëmarrës dhe rrjedhimisht, fitues të çmimeve.

Sipas tij, pavarësisht se në thelb kërkesat nuk kanë qenë të ndryshme, ka qenë forma, pasioni dhe mënyra e adresimit të kërkesës që i ka dhënë avantazh ose disavantazh pjesëmarrësve në kriteret e vlerësimit.

Ndërkaq, kryeministri ka treguar se si me fituesit edhe me shkollat jo-fituese, do të nisi bashkëpunimi dhe mbështetja për ta shfrytëzuar këtë proces për mundësi shumë më të mëdha.

Me mbi 700 pjesëmarrës, në konkurs janë përzgjedhur punimet më të veçanta lidhur me mesazhin dhe simbolikën e paraqitur.

Në ndarjen e çmimeve ka marrë pjesë edhe ministrja e  Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi

“Fëmijët të parët”, kështu e ka nisur fjalën e saj ministrja, duke bërë me dije se do të jenë fëmijët që do të marrin prioritetin e këtij viti.

Ajo ka zbuluar se kanë qenë 159 shkolla që ju përgjigjën ftesës për të qenë pjesë e konkursit.

Për të, ka qenë tejet e vështirë përzgjedhje sepse mes gjithë shkollave, veç tre fitues  të fotografisë do të jenë.

Gjithashtu ministrja ka zbuluar se fotografitë fituese do të ekspozohen në hollin protokollar të Kryeministrisë për t’i dhënë mundësinë edhe publikut të njihet me to.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore