Shqipëria

Rama në konferencë me Kurtin: Me vëllain e vogël gjithmonë ka një problem, nuk dëgjon


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në konferencë për media me Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama

Në konferencën e përbashkët për media të Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama dhe Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, kreu i ekzekutivit shqiptar ka sqaruar para gazetarëve çështjen e “vëllait të madh”, duke thënë se “kur vëllai i vogël (Albin Kurti) ka ndonjë hall thotë ti i madhi (Edi Rama) duhet të më mbështetësh. Ndërkaq, kur i thua vëllait të vogël më dëgjo edhe mua, ai nuk më dëgjon”.

Ky sqarim i kryeqeveritarit Rama ka ardhur pas pyetjes së gazetarit se ai si vëlla i madh pas situatës në veri a e kupton pse Kosova në këtë rast vëllai i vogël nuk dëshiron të bëhet pjesë e nismës Ballkani i Hapur.

Rama ka treguar se ai nuk pretendon të jetë vëllai i madh, e aq më pak vëllai i madh i Kryeministrit Kurti duke shtuar se me vëllain e bashkon gjaku.

“Unë nuk pretendoj se unë jam vëllai i madh këtu e aq më pak vëllai i madh i Albinit që është mi ri, por nuk do ta pranonte kurrë që ta quante veten vëllai im i vogël. Unë jam edhe më i bindur sot se Ballkani i Hapur është i vetmi drejtim strategjik që ne mos të ngecim në baltën e të shkuarës”, ka thënë Rama.

“Vëllain dhe fqinjën nuk i zgjedh, me vëllain të lidh gjaku, të lidh familja, të lidh e shkuara dhe e ardhmja, me fqinjën të lidh fakti se atë e ke aty”, ka përfunduar ai.

Ai, gjatë konferencës, ka folur edhe për nismën e Ballkanit të Hapur, duke e konsideruar atë si rruga e përbashkët e Kosovës dhe Shqipërisë.

“Pas ngjarjeve të fundit në Kosovë kam kuptuar se Ballkani i Hapur është rruga e përbashkët për të mirën e dy vendeve”, ka thënë ai.

Vizita njëditore e kryeministrit Rama në Kosovë është bërë me ftesë të kryeministrit Kurti.

Rama, gjatë kësaj vizitës së tij në Kosovë, ka takuar edhe liderët e partive politike opozitare.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore