Shqipëria

Rama: Në fundjavë mbërrijnë mbi 90 mijë vaksina AstraZeneca


Kryeministri Edi Rama ka informuar se gjatë fundjavës do të vijnë në Shqipëri 90 mijë e 800 vaksina AstraZeneca.

“Shqipëria do të vijojë të qëndrojë në vendet e para të klasifikimit europian për shpejtësinë e vaksinimit”, shkruan kryeministri në Facebook. “Ne do ta tejkalojmë objektivin e 500 mijë të vaksinuarve brenda majit”.

Ndër të tjera, Rama shton se është e pamundur të mos ia dalim për rritjen e fuqishme ekonomike në vitet me diell që kemi përpara.

“Karakteri ynë u sprovua në dy tragjedi të mëdha dhe fuqia jonë e përbashkët do të vazhdojë të bëjë të mundura edhe arritjet më të vështira”.

Rama e mbyll postimin me fjalët: besim, durim, bashkim dhe punë natë e ditë.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, deklaroi më parë se “40 mijë doza AstraZeneca, vijnë të shtunën”.

Mbi 300 mijë shqiptarë ndërkaq, kanë marrë dozën e parë të vaksinave.

Katër, janë ato në përdorim në vendin tonë. Ajo Pfizer, AstraZeneca, Sputnik V dhe Sinovac.

Numri më i lartë i vaksinave, është ai nga kinezët e Sinovac-ut. AstraZeneca ndërkaq, vjen në Shqipëri nëpërmjet kontraktimit direkt me fabrikën dhe mekanizmit Covax.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore