Shqipëria

Rama në Expo Dubai 2020: Shqipëria është nga ato vende që kanë shumë për t’u eksploruar


Kryeministri Edi Rama, i cili ka qenë prezent në hapjen e pavijonit të Shqipërisë në Expo 2020 Dubai, ftoi të gjithë të vizitojnë vendin tonë, sepse “jemi nga ato vende që kanë shumë për t’u eksploruar”.

Ai shoqërohej edhe nga tre ministra të kabinetit qeveritar shqiptarë: Belinda Balluku, Olta Xhaçka dhe Bledi Çuçi.

Në postimin në Facebook, kreu i Qeverisë shkroi se në “Expo Dubai 2020”, ku marrin pjesë 192 vende të botës, Pavijoni i Shqipërisë ka tërhequr vëmendjen e vizitorëve “për mrekullitë natyrore, trashëgiminë kulturore dhe energjinë zhvillimore të vendit tonë”.

Gjatë fjalës së tij përshëndetëse, ai tha se “është krenari e mirënjohje që erdhëm në një vend mik, ne kemi një historik solidariteti, miqësie dhe humanizmi”.

Rama kujtoi në Dubai periudhën kur ky shtet iu gjend afër Kosovës në periudhën e luftës dhe ndihmën që i dha Shqipërisë pas tërmetit.

“Nuk ishte i vetmi rast ku do të shihnim humanizmin karshi botës dhe qenieve të tjera njerëzore, pavarësisht besimit të tyre që ky vend dhe udhëheqja e këtij vendi do të tregonte më shumë se 20 vjet pas asaj tragjedie në Kosovë, ku një tjetër tragjedi goditi vendin tonë. Falë udhëheqjes së këtij vendi, sot kemi një lagje të re që po ndërtohet në periferi të Durrësit, ku tërmeti pati goditjen më të fortë”.

Për sa i përket pavijonit të Shqipërisë në ekspozitë, Rama me modesti tha se në këtë vend të vogël dhe të bukur “myslimanët, të krishterët, katolikët jetojnë së bashku…”

“Të gjithë ata që po dëgjojnë fjalët e mia, dua t’u them ejani në Shqipëri, vizitojeni dhe ju garantoj se nuk do të pendoheni kurrë”, ravijëzoi ai.

Më herët, përmes një postimi në mediat sociale, organizatorët e Expo 2020 Dubai bënë të ditur se 9 marsi kremton vlerat dhe pasuritë kulturore dhe historike shqiptare.

“Sot jemi të emocionuar të festojmë Shqipërinë. Mos e humbisni festën dhe bashkohuni me ne sot në Pavijonin Albania, ose ndiqni pamjet drejtpërdrejt në Virtual Expo”, shkruajnë organizatorët.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore