Lajme

Rama: Me PDK-në ende nuk i kemi ndarë postet


Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, pas zgjedhjes së kryesuesit të Kuvendit Komunal, ka thënë se ende nuk i kanë ndarë postet me Partinë Demokratike të Kosovës (PDK).

“Nuk i kemi ndarë postet me PDK-në, kjo varet krejt prej njerëzve që na ofrojnë”.

“Një gjë e mirë është që programi jonë ka qenë shumë i detajizuar, kemi ngjashmëri shumë me partitë tjera në program dhe nuk do të kemi probleme. Pra është vetëm në gjetjen e njerëzve adekuat”.

Rama gjatë prononcimit për EkonomiaOnline ka thënë se ai i ka bërë thirrje partive të tjera t’i bashkohen atij në bashkëqeverisje për zhvillimin e projekteve.

“Ne e kemi për detyrë ndaj tyre që të bëjmë një përbashkim, të kemi shumicën, që projektet e tona t’i zbatojmë në përpikëri, prandaj edhe duhet që të gjithë partitë që kanë interes të përbashkohen”.

“Tash e zgjodhëm kryesuesin, tash jemi edhe në zgjedhjen e ekipit më të mirë. Kjo nuk do t’i ngadalësojë punët”, ka deklaruar Rama.

Është dashur një rend i tretë votimi që Asambleja e Komunës së Prishtinës të bëhet me kryesues të ri dhe në këtë mënyrë të konstituohet Kuvendi Komuna dhe kryeqyteti të mos ketë nevojë të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme.

Fehmi Kupina nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës do të jetë kryesues, pasi ka marrë 25 vota nga 51 asamblistë sa ka Kuvendi Komunal i Prishtinës.

Marrëveshja me PDK-në

Ende nuk është bërë publike marrëveshja e arritur në mes të LDK-së dhe PDK-së, mirëpo nga ajo çfarë është kuptuar deri tani, besohet se PDK-ja do të udhëheqë me plotë katër drejtori.

Bëhet fjalë për Drejtorinë e Arsimit, të Kulturës, Inspekcionit dhe Drejtorin e Planifikimit Hapsinor.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore