Shqipëria

Rama me Biden në SHBA, për të mbajtur Rusinë përgjegjëse mbi agresionin ndaj Ukrainës


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, është takuar me Presidentin e SHBA-ve, Joe Biden, gjatë javës së kushtuar Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, e cila po mbahet në New York, ku si temë kryesore është pikërisht agresioni rus ndaj Ukrainës.

Në një foto të publikuar, Rama së bashku me bashkëshorten, Linda, kanë pozuar krah presidentit Biden dhe bashkëshortes së tij, Jill.

Këtë çast, e ka shpërndarë përveç kryeministrit, edhe ambasadorja amerikane në Shqipëri, Yuri Kim, e cila nëpërmjet një postimi në Twitter, ka theksuar se është me rëndësi të lartë që Rusia të mbahet përgjegjëse për agresionin ndaj Ukrainës, me një sulm të pajustifikuar dhe mësymje në territor, kundrejt një vendi sovran.

Po ashtu, ka qenë edhe ministrja shqiptare për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, e cila gjatë takimit të Këshillit të Sigurimit sa i përket çështjeve të sigurisë dhe veçanërisht luftës në Ukrainë, ka mbajtur qëndrim strikt, duke përsiatur se “lufta që Rusia po zhvillon, të kujton ditët më të errëta të fashizmit dhe stalinizmit”.

Në mbledhjen e zhvilluar në selinë qendrore të Organizatës së Kombeve të Bashkuara në New York, kryediplomatja shqiptare e përmendi me pëlqim vendimin e Presidencës franceze të KS-së, për ta mbajtur fokusin në çështjen e llogaridhënies së Rusisë, për situatën e krijuar në Ukrainë.

“Veprimet e Rusisë janë një shkelje flagrante e Kartës së Kombeve të Bashkuara”, ka theksuar ajo fillimisht në fjalën e saj, duke përforcuar se Moska ka zgjedhur hapur të injorojë vazhdimisht vendimet e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, lidhur me çështjen.

Më tej, ajo ka shtuar se duhet angazhim në misionet për gjetjen e fakteve dhe brutaliteteve që janë kryer ndaj popullatës së Ukrainës.

Së fundmi, ishte qyteti i sapoçliruar i Iziumit, ai i cili nxorri në dritë varre masive për mbi 400 njerëz, të ngjashëm me skenarët në Bucha, pas largimit të Ushtrisë ruse nga Kievi.

“Mijëra njerëz kanë paguar me jetën e tyre për luftën e zgjedhur të Vladimir Putinit”, vijoi më tej ministrja, duke nënvizuar se miliona në mbarë botën janë të uritur për shkak të luftës së zgjedhur të Putin.

Komuniteti ndërkombëtar, në fjalët e saj, duhet të vazhdojë ta ndihmojë Ukrainën dhe të punojë për të garantuar përgjegjësinë, për atë çfarë Rusia po bën.

Prej thuajse dhjetë muajsh, Shqipëria po ushtron mandatin e saj dy-vjeçar (i përkohshëm), në Këshillin e Sigurimit, i cili e vendos atë në tryezën më të rëndësishme botërore, për çështjet e sigurisë në botë, së bashku me 14 vende të tjera.

Me fillimin e luftës në Ukrainë dhe me propozimin amerikan, delegacioni shqiptar, i udhëhequr nga ambasadori i përhershëm i Shqipërisë në OKB, Ferit Hoxha, mori edhe rolin e bashkëpenëmbajtësit të kauzës ukrainase në KS, të cilin e kanë vlerësuar të gjitha vendet perëndimore, si edhe vetë Ukraina.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore