Shqipëria

Rama mbledh kryebashkiakët në Kryeministri


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, nisur nga ngjarjet e fundit, do të zhvillojë një takim me kryebashkiakët.

Takimi do të realizohet në orën 12 të ditës së sotme, më 9 korrik, në ambientet e Kryeministrisë.

Kjo mbledhje vjen vetëm një ditë pas kritikave që ai u drejtoi krerëve të policisë.

Ai u ka lënë afat 100 ditë punonjësve të policisë “të gjejnë dhe të çojnë para drejtësisë të gjithë të infiltruarit brenda Policisë së Shtetit, që bashkëpunojnë me krimin”.

Gjithashtu takimi po realizohet nisur nga arrestimi i fundit i Strukturës së Posaçme (SPAK) të kreut të Bashkisë së Lushnjës, Fatos Tushe.

Rama, me vendim të Këshillit të Ministrave, e ka shkarkuar kryetarin e bashkisë, Tushe.

Ai gjithashtu ka theksuar se, “nuk do të ketë asnjë mbrojtje nga Partia Socialiste për të akuzuarit nga dreqësia”.

Tushe u arrestua me urdhër të SPAK-ut, sepse akuzohej për favorizim dhe korrupsion.

Gjatë zhvillimit të këtij operacioni janë arrestuar disa persona, mes tyre dhe vartës të kryebashkiakut dhe biznesmenë.

Në operacion janë përfshirë forcat e policisë dhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë (FNSH), të cilët kanë zhvilluar kontrolle në Kadastrën e qytetit.

Gjithashtu, personat e tjerë të arrestuar akuzohen për korrupsion pasiv dhe abuzime me tendera.

Hetimi ndaj Tushës nisi në korrik të 2020-ës, pasi u dyshua se kishte përfituar në mënyrë të paligjshme nga një tender me vlerë 24 milionë lekë, për ndërtimin e kanalit vaditës në Lushnjë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore