Zgjedhjet në Shqipëri

Rama: Kruja sot ka marrë formë tjetër


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, njëkohësisht dhe kryetari i Partisë Socialiste (PS), të mërkurën e 21 prillit u ndal në një takim elektoral me qytetarët e Fushë-Krujës.

“Kruja sot ka marrë formë tjetër”, tha numri një i qeverisë.

Në vijim, ai përmendi faktin se Thumana dhe Bupqi janë dy vendet, të cilat u prekën nga tërmeti i 26 nëntorit të vitit 2019.

“Ju i ndjetë më shumë se të tjerët lëkundjet e frikshme të tërmetit. Për ditë të tëra, ju i ndjetë pasiguritë”.

Kryeministri theksoi faktin se ka qenë një vit shumë i vështirë, por që falë punës dhe përkushtimit qeveria e ka treguar veten kur përballet me ditë të vështira.

“Ne provuam që përmasa e njeriut nuk matet në ditë të mira, por matet aty ku toka dridhet nën këmbë dhe kur ndeshet me forcën e një kundërshtie të madhe. Aty ne provuam se çfarë karakteri ne kemi dhe se çfarë mund të bëjmë së bashku përballë çdo të keqeje”.

Ai vuri theksin te ndërtimi i pallateve të reja dhe transformimi i lagjeve të dëmtuara nga tërmeti.

“Në Thumanë po rimerr jetë shëmbëlltyra e zemrës tonë. Por, edhe në Bupq, po ndërtohet një lagje e re, ku fëmijët do të rriten krejt ndryshe nga mënyra se si u rritën prindërit e tyre”.

Shqipëria, sipas Ramës, do të ketë një rritje të madhe ekonomike, me ndërtimin e katër portave hyrëse nga qielli dhe katër porte të reja nga deti.

“Ne do të hapim katër porta nga qielli, katër porta nga deti, që këtu të vijnë shumë më shumë udhëtarë nga e gjithë bota, për të parë të gjitha bukuritë, traditën, mikpritjen tonë. Porti i Durrësit do të jetë një Dubai i vogël i Mesdheut”.

Po ashtu, ai premtoi dhe ndihmën e paketës 5 mijë euro për çdo emigrant të kthyer në vend.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore