Shqipëria

Rama kritika Lelit: Vlora duhet të ishte xixë, kryetari fle gjumë


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama në një takim me kryetarët e bashkive të vendit ka bërë bilancet e qeverisjes vendore, duke nxjerrë në pah problematikat dhe arritjet e disa prej tyre.

Kreu i qeverisë theksoi se mbingopja me pushtetin është e atyre që harrojnë se kush i ka çuar dhe pse i ka çuar, dhe jo sa herë njerëzit i kanë besuar.

“Dy bashkitë, Cërriku dhe Belshi nuk kanë pasur ndonjë avantazh kanë qenë dhe janë të disavantazhuara. Kjo, sepse pjesëmarrja e taksapaguesve lokale është shumë modeste, por për shkak të punës dhe këmbënguljes janë shembuj pozitivë”.

Në fjalën e tij, Rama nuk la pa kritikuar kryebashkiakun e Vlorës, Dritan Leli.

“Bashki si Vlora që ka pasur vëmendje veçantë, me të drejtë nga qeveria, por që ka kryetar që fle gjumë. Me gjithë potencialin që ka, nuk duhej ta diskutonte të qenit ‘xixë’”.

Ai theksoi se Pogradeci, tani po hyn në një fazë që po merr më shumë projekte, por është një shembull sepse me mjetet e kufizuara të bashkisë, qyteti merr sot frymë lirisht.

“Kjo është shumë e rëndësishme. Roli i çdo individi është vendimtar”.

Gjithashtu në diskursin e tij, kryesocialisti tha se Bashkia e Shijakut, është model.

“Tirana dhe Durrësi kanë kohë për të nxjerrë nga kapacitetet e tyre të natyrshme. Janë çështje vullneti dhe durimi”.

Ndër të tjera, ai u shpreh se është detyra e kryebashkiakëve që të evidentojnë rastet e shkeljeve dhe personat që abuzojnë me detyrën.

“Nuk janë as hotelet që janë të parat as rrugët, e para është pastërtia. Sjell shembullin e pastërtisë se këtu keni një shembull ju që jeni këtu dhe se jo të gjithë jeni njëlloj. Një pjesë e mirë e ka kuptuar mesazhin. Sa shumë gjëra mund të bëhen duke shtuar kujt fuqi e makinës sonë qeverisëse, jo lekët por vullneti dhe puna”.

Ai u tregua i prerë në mesazhet e tij për kryebashkiakët duke i theksuar se nuk duhet të pranojnë asnjë drejtor që nuk di të sillet me qytetarët.

“Nuk kemi arsye pse të kemi bashki të mira e pastaj problematike. Duhet të kenë mesataren e artë të shërbimeve. Kjo është A-ja dhe raporti me qytetarët është baza. Çfarë vlere ka ti shkosh kur je në fushatë kur je kryetar bashkie dhe nuk garanton që çdo ditë t’ju hapet dera njerëzve? Nuk pranon të kesh zyrtar që A dhe Zh është kujdesja, respekti dhe sjellja ndaj qytetarëve. Jo vetëm zyrtarëve, por ti si kryetar duhet të jesh i alarmuar nëse një zyrtar lë kokrrën e namit dhe e mbron partia”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore