Zgjedhjet në Shqipëri

Rama: Koncepti i patronazhistëve është deformuar


Kryeministri Edi Rama ka deklaruar sot nga Durrësi se koncepti mbi patronazhistët është deformuar me përdorimin e tij ditët e fundit në media dhe politikë.

“Sot ata që nuk e dinë se çfarë pune, çfarë angazhimi të padukshëm ka brenda PS, kanë zbuluar fjalën patronazhist, dhe e sjellin vërdallë e vërdallë, duke e deformuar kuptimin e saj”, tha Rama.

Disa ditë më parë, një listë me të dhënat e votuesve në Tiranë, u publikua në media. Në to, pretendohet se bëhen me dije preferencat e votuesve të Qarkut Tiranë, mbi partitë politike.

Aktivistë socialistë shfaqen nën termin “patronazhistë”. Këta të fundit, mendohet se kanë në ngarkim të shohin ku do të shkojë vota e qytetarëve më 25 prill.

Për këtë fakt, kryeministri deklaroi se “Partia Socialiste është një familje, ku të angazhuarit brenda familjes punojnë”.

Sipas Ramës, ka persona që janë vullnetarë dhe e bëjnë në kohën e lirë këtë funksion brenda PS-së. “Kjo, bëhet për të ruajtuar kontaktin me popullin”, shtoi ai.

Për sa i takon fitores, kryeministri nuk e vuri aspak në diskutim atë.

“Kur hyn në fushën e lojës me ne, fillojnë dhe kuptojnë që nuk është kaq e lehtë. Kur bie bilbili dhe shohin rezultatin është 74 deri në 78”.

Ndër të tjera, ai shtoi se ky rezultat, do të jetë pikërisht meritë e patronazhistëve dhe aktivistëve të PS-së.

“Rezultati për PS, është rezultati i angazhimit të secilit prej jush, nga veriu në jug, nga lindja në perëndim. Për këtë unë ju jam, të gjithë mirënjohës, të gjithë patronazhistëve, aktivistëve të PS-së, pasi fitorja jonë, është një fitore që krijohet nga puna dhe angazhimi i tyre”.

“Ju bëj thirrje të mos lini derë pa trokitur”, përmbylli ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore