Shqipëria

Rama i prerë: Harta gjyqësore nuk ndryshon


“Është ajo që është dhe nuk ndryshon”.

Ky është qëndrimi i prerë i Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, mbi hartën e re gjyqësore, të shumëkontestuar nga një pjesë e profesionistëve të sistemit gjyqësor në Shqipëri.

Përtej kontestimeve, Rama është shprehur i habitur ndaj individëve, të cilët kërkojnë të bllokojnë procesin.

Ndër të tjera, kreu i Qeverisë e ka bërë të qartë se Këshilli i Ministrave është i hapur për çdo diskutim dhe çdo ankesë që kanë komuniteti i avokatëve apo gjetkë.

Megjithatë, ai nuk është i gatshëm të lëshojë pe për një reformë, e cila është e shtyrë shumë gjatë në kohë.

Ndaj, sërish, e ka bërë të qartë në mënyrë të prerë: Diskutime ka, por harta e re gjyqësore është ajo që është dhe nuk ndryshon!

Të mërkurën e 29 qershorit, Dhoma Kombëtare e Avokatisë njoftoi se avokatët kishin vendosur se do t’i bojkotojnë pa afat seancat gjyqësore.

Harta e re

KLGJ-ja, pasi ngriti një Grup Ndërinstitucional për të kryer vlerësimin e sistemit gjyqësor, miratoi hartën e re gjyqësore, në të cilën parashikohet një reduktim i numrit të gjykatave në vend.

Sipas hartës së re, vendi do të ketë 12 gjykata nga 22 që ishin më parë.

Ndërsa nga gjashtë gjykata administrative të shkallës së parë do të mbeten dy, një në Tiranë dhe një në Lushnjë dhe një Gjykatë Apeli.

Në deklaratën e KLGJ-së shkruhej se, “Harta e re Gjyqësore do t’i shërbejë optimizimit të burimeve njerëzore dhe financiare, rritjes së eficiencës së gjykatave, përmirësimit të shpejtësisë së gjykimit dhe aksesit në drejtësi të qytetarëve”.

Po ashtu, KLGJ-ja e ka cilësuar hartën si çelësin shumë të rëndësishëm për zgjidhjen e sfidave të sistemit gjyqësor, lidhur me ngarkesën e punës, delegimet, aksesin, koston dhe efektshmërinë

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore