Shqipëria

Rama i kthehet “së kaluarës” në Vlorë, nga e bukura te investimet


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama bëri ‘një kredhje’ në të kaluarën duke kujtuar eksperiencën e tij si kryebashkiak i Tiranës.

Më tej, ai u ndal te ligjërimi i dy koncepteve përbashkuese si e bukura (estetika) dhe investimet (ekonomia).

Kreu i qeverisë shqiptare ishte i ftuar në Konferencën Ndërkombëtare “Drejt së Ardhmes: Qyteti im, Shtëpia ime”.

Rama e nisi fjalën e tij duke kujtuar një anekdotë me një profesoreshë të Harvard-it, gjatë mandatit si kryetar bashkie.

“Më pyeti nëse e dija se cili ishte leksioni i saj i parë në politikat publike. Të gjithë studentëve u jepej një panoramë, statistikore e Washington-it në vitet ’30-të”, u shpreh fillimisht kryeministri.

Më tej, ai u ndal te sekreti i transformimit të këtij qyteti.

Sipas rrëfimit, asnjë prej studentëve nuk e kishte pikasur hapin fillestar të kryebashkiakut nga ku nisi ndryshimi që vijoi për dekada.

“Washington kishte në stacionin e trenit një monument me dy luanë përballë njëri-tjetrit. Stacioni ishte pika më e populluar e qytetit. Ai e nisi me pastrimin e dy luanëve”, shtoi Rama.

Ky ndryshim, tha kryesocialisti, u kthye në një burim energjie pozitive për të gjithë qytetin.

“Është një histori shumë e bukur për të treguar sesi e bukura në mjedisin e përbashkët bëhet katalizator i një tërësie ndryshimesh që çojnë në një transformim strukturor. Kështu rritet edhe vlera e pronës”, nënvizoi kryeqeveritari.

Në vijim të retorikës së tij, Rama përfitoi për të afruar shembullin e Lungomares në kohë dhe në hapësirë.

“Flitet për Lungomaren në aspektin estetik dhe kënaqësisë, por në fakt përtej asaj që duket në atë zonë kanë ndodhur edhe gjëra që nuk duken”, la të kuptohej kryeministri.

Referuar kësaj, ai deklaroi se njerëzit të cilët kanë prona në atë zonë, sot janë më të pasur.

Rama theksoi sakaq se rritja e çmimeve është shenja më e parë e rritjes së një ekonomie tërësore.

Vlora, u shpreh kreu i qeverisë, ka shtatë herë më pak shtretër se Saranda.

Qyteti bregdetar, sipas tij, është një potencial shumë i madh.

“Kur ne nisim një punë, ngrihen ata që thonë, ‘ne s’kemi bukë, ju bëni sheshe’, ky është një konceptim i gabuar”, shtoi më tej Rama.

Në përmbyllje, kryeministri tregoi se mund të ketë “qytete të bukura që janë të varfëra”, por sipas tij, “nuk ka qytete të shëmtuara që janë të pasura”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore