Shqipëria

Rama i bën thirrje Serbisë dhe BE-së: Përgjigjuni sinjalit kuptimplotë të Osmanit, palët të kthehen në tryezën e dialogut


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka reaguar të dielën e 11 dhjetorit për situatën e tensionuar në veri të Kosovës duke i adresuar një thirrje autoriteteve serbe dhe Bashkimit Evropian.

“Shtyrja e votimeve nga ana e Presidentes së Republikës së Kosovës është një sinjal kuptimplotë, të cilit autoritetet e larta të Beogradit duhet t’i përgjigjen me të njëjtën frymë dhe ndjenjë përgjegjësie, për moslejimin e përshkallëzimeve të mëtejshme të akteve destabilizuese! BE-ja duhet të thërrasë urgjent tryezën e dialogut”.

Ishin këto dy mesazhet kryesore të deklaratës së Ramës në median sociale Twitter.

Fillimisht, kreu i qeverisë shqiptare dënoi sulmet mbi EULEX-in dhe aktet e dhunës ndaj Policisë së Kosovës, duke i konsideruar “të dënueshme pa asnjë ekuivok”.

Sipas tij, rishfaqja e barrikadave në Veri të Kosovës, bie ndesh me çdo ligj e çdo frymë dialogu e jo vetëm nuk zgjidh asgjë, por komplikon më tej çdo gjë.

“Beogradi”, shtoi Rama drejtuar autoriteteve serbe, “duhet të ushtrojë ndikimin e vet mbi serbët e Veriut të Kosovës”.

Kjo, pa i justifikuar assesi veprimet e tyre cilatdo qofshin arsyet.

Arsyet diskutohen, nuk përdoren si armë kundër policisë e si barrikada kundër rendit ligjor, vërejti kryeministri shqiptar.

Më herët, ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka dënoi ashpër sulmet ndaj Eulex-it dhe Policisë së Kosovës në veri.

“Ne i bashkohemi thirrjeve të partnerëve tanë ndërkombëtarë për heqjen e menjëhershme të barrikadave nga grupet e serbëve të Kosovës. Është e rëndësishme të rivendoset qetësia dhe sundimi i ligjit”, thekson ministrja shqiptare.

Ndërtimi i situatës

Tensionet u rritën në veri të Kosovës pasi sulmues të panjohur shkëmbyen zjarr me policinë dhe hodhën një granatë trullosëse ndaj zbatuesve të ligjit të BE-së gjatë natës.

Qindra serbë, të indinjuar për arrestimin e një ish-oficeri policie, u mblodhën sërish herët në mëngjes në postblloqet e ngritura të shtunën dhe paralizuan trafikun në dy pika kufitare nga Kosova drejt Serbisë.

Disa orë pasi barrikadat u ngritën, policia tha se ata pësuan tre sulme të njëpasnjëshme me armë zjarri të shtunën mbrëma në një nga rrugët që çojnë në kufi.

Njësitet policore në vetëmbrojtje “janë detyruar t’u përgjigjen me armë zjarri personave dhe grupeve kriminale, të cilët janë zmbrapsur dhe janë lënë në drejtim të panjohur”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Policia e Bashkimit Evropian e vendosur në rajon si pjesë e misionit për sundimin e ligjit (EULEX) tha se ata ishin gjithashtu në shënjestër me një granatë trullosëse, por asnjë oficer nuk u lëndua.

“Ky sulm, si dhe sulmet ndaj policëve të Kosovës, janë të papranueshme”, thuhet në një komunikatë të EULEX-it.

Tensionet u rritën pasi Kosova caktoi zgjedhjet lokale në komunat me shumicë serbe për 18 dhjetor, me partinë kryesore politike serbe që tha se do i bojkotonte.

Shpërthime dhe të shtëna u dëgjuan në fillim të kësaj jave ndërsa autoritetet zgjedhore u përpoqën të përgatisin terrenin për votim.

Menjëherë pasi u shfaqën pengesat, presidentja e Kosovës Vjosa Osmani vendosi të shtyjë zgjedhjet për datën 23 prill.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore