Shqipëria

Rama: Paga deri në 40 mijë lekë nuk do të tatohet


Kryeministri i Shqipërisë dhe njëherazi Kryetari i Partisë Socialiste (PS), Edi Rama, në Fier, gjatë mbledhjes së strukturave të PS-së, u bëri thirrje të gjithëve të tregohen të përgjegjshëm.

“Ata që kanë përgjegjësi publike duhet të jenë shembull. Tanimë po bëhet një shfaqje rutinë: shkelja e rregullave, inskenimi duke mbledhur njerëz ngjitur, për të përshëndetur karvanin e fitores imagjinare të atyre që, pasi e humbën çdo shans në të shkuarën, të cilën populli ua dha për të drejtuar vendin, kërkojnë një shans të ri, por që nuk kanë për ta marrë”, pohoi Rama.

Kryeministri deklaroi se “shqiptarët nuk duan të eksperimentojnë rikthimin e PD-së në pushtet. Një PD-je që përfaqësohet sot nga grupi më i keq në 30 vite”.

Rama foli edhe për sfidën e kapërcimit të hendekut të hapur sot një vit më parë, me hyrjen në Shqipëri të armikut të padukshëm dhe goditjen e vendit nga tërmeti. Ai i bëri thirrje publike Bashës “që të frenohet nga dhënia e këtyre shfaqjeve, të cilat janë çedukuese në këtë kohë”.

“Virusi nuk njeh të majtë dhe të djathtë, por godet njerëzit e dashur në familjet shqiptare”, sipas Ramës. “Të mos mbështetet në iluzionin se duke mbledhur ato tufa me dy gishta do të marrë ndonjë votë më shumë”.

Ekonomia

Kryeministri Rama foli edhe për ekonominë. Ai e konsideroi taksën e sheshtë të pandershme, pasi favorizon më të pasurit.

“Më të riforta po ringrihen familjet që humbën strehën dhe po kthehen në shtëpi më të forta, më të bukura. Po ringrihen komunitetet, si ai i Thumanës, Fushë-Krujës i Bubqit”.

Kreu i qeverisë deklaroi se qeveria ka aplikuar tanimë taksën zero për bizneset e vogla dhe ka rritur pagën minimale.

Rama tha se PS-ja synon që paga minimale të jetë 40 mijë lekë.

Kryeministri deklaroi se, sipas një plani të mirëstudiuar, nga 1 janari i vitit të ardhshëm, paga deri në 40 mijë lekë nuk do të tatohet.

Ai pohoi se, në janar të vitit 2022, do të përjashtohet nga fasha e progresivitetit të lartë kategoria që paguhet me paga më të larta, për shkak të kualifikimit të tyre. Do të ulet tatim-fitimi për pagën dhe për ata që marrin nga 120 mijë deri në 250 mijë lekë.

“Nuk do të rrisim asnjë qindarkë pagën e ministrave dhe të deputetëve, siç nuk e kemi rritur nga dita e parë dhe nuk do të ulim taksën e fitimit të më të pasurve. Ka qenë dhe do të jetë 15% deri në 2025”, premtoi kryeministri.

Procesi i vaksinimit

Kreu i qeverisë foli edhe për procesin e vaksinimit, duke u shprehur se duhet të këpusim zinxhirin e infektimeve.

Ai vuri theksin në rritjen e shkallës së imunizmit. “Vazhdojmë intensivisht përpjekjen që të shtrihemi në të gjithë territorin, që të rritet shkalla e imunizimit, si dhe të vijojë hapja e sezonit turistik”.

Sipas Ramës, duhet të vazhdojë vaksinimi i bluzave të bardha, mësuesve, si dhe atyre që janë në një proces të vazhdueshëm.

Ai tha se në politikat e qeverisë nuk është preferuar që të shtrëngohet ekonomia e vendit. U bëri thirrje qytetarëve që “të mos lëshohen përtej nevojave të punës, në situata që bëjnë të kundërtën e vaksinës”.

“Ne nuk e kemi problem, mund të shkojmë deri më 25 prill me 10 veta në çdo event. Nëse është e nevojshme, do t’u drejtohemi autoriteteve. I ftoj shqiptarët të mos jenë tolerantë në opinionin e tyre në raport me këto shfaqje që të kujtojnë ato mitingjet pa shije të viteve ‘90”.

Ruçi prezanton kandidatët e Fierit që garojnë nën siglën e PS-së

Kryesuesi i qarkut të Fierit, Gramoz Ruçi, njoftoi se skuadra e qarkut të Fierit ka 18 kandidate.

“Dua t’i bëj apel KQZ-së të interpretojë kodin zgjedhor, që të regjistrohen aq sa kërkon kodi. Mosha mesatare e Fierit është  48 vjeç”.

Ruçi deklaroi se PS-ja si subjekt politik ka respektuar standardet për përfaqësimin gjinor. Në listë kandidojnë 6 zonja, përkatësisht, tetë ekonomiste, dy mësues, dy inxhiniere, dy juriste.

Nga 18 kandidatë që ka Fieri, nëntë janë aktualisht deputetë në këtë legjislaturë.

Tre prej tyre nuk janë përfshirë në 18 kandidatët që konkurrojnë për zgjedhjet e 25 prillit në qarkun e Fierit.

Ruçi veçoi emrat e Bashkim Finos, Nimet Musait, të cilët janë të prekur me COVID-19.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore